Komisioni për Buxhet dhe Transfere, i kryesuar nga Hekuran Murati, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë shqyrtuar disa projektligje dhe vendime që Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të diskutohen në seancën që do të mbahet nesër.
Anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturës gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit “Fiskalis 2020”.
Këto projektligje para deputetëve i ka prezantuar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila, për secilin projektligj, ka arsyetuar rëndësinë e përkrahjes nga ana e anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Ministrja Bajrami është përgjigjur edhe në interesimin e deputetëve, në çështje të caktuara që kanë të bëjnë me këto projektligje.
Deputetët kanë përkrahur të gjitha projektligjet, me përjashtim të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Të gjitha këto projektligje janë proceduar për shqyrtim në seancën e nesërme.
Komisioni nuk i ka dhënë përkrahje vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 02/03 të datës datë 05.06.2020, për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.
Edhe ky vendim i Qeverisë është prezantuar nga ministrja e Financave Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar nga deputetët që i njëjti të përkrahet.
Komisioni për Buxhet dhe Transfere ka miratuar edhe rishikimin e buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilin e ka prezantuar sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi.
Komisioni po ashtu ka caktuar një grup punues për hartimin e buxhetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Raporti vjetor financiar i buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, raporti Vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2019 dhe raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik për vitin 2019, pritet të shqyrtohen në mbledhjen e ardhshme.