Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar Raportin financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën janar-shtator 2017, së bashku me Programin e Shpenzimeve të RTK-së, për periudhën tetor-dhjetor 2017.
Raportin e paraqiti kryesuesja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi, e cila ofroi një pasqyrë të shpenzimeve të deritashme dhe gjendjen financiare në televizionin publik.
Lidhur me Raportin dhe pasqyrat financiare, anëtarët e komisionit paraqitën një varg vërejtjesh dhe kritikash, duke vënë në pah shumë parregullsi në menaxhimin e mjeteve dhe organizimin e punës në RTK.
U fol po ashtu edhe për mënyrën e raportimit në Komision, për të cilën kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se duhet ndryshuar, duke vënë në zbatim një standard të ri të vlerësimit.
Lidhur me financimin e RTK-së, Komisioni vlerësoi se mënyra më e mirë e rregullimit të çështjes financiare është miratimi i një Ligji për këtë institucion.
Për sa i përket kërkesës së RTK-së, që nga buxheti i shtetit, në llogari të RTK-së të transferohen mjete buxhetore në shumën prej 3 milionë e 100 mijë euro, (pjesa e fundit e shumës së përgjithshme dedikuar RTK-së), Komisioni vendosi që ta mbështesë këtë kërkesë.
Por, në pamundësi të realizimit të të hyrave të parapara nga AKP-ja, u vendos që fillimisht të alokohen mjete në shumën prej 1 milion e 700 mijë euro, ndërkaq, pjesa tjetër pas miratimit të Projektligjit për rishikimin e Buxhetit.