Gjetja e mënyrës më të mirë të funksionimit të institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jobankare është diskutuar sot në një dëgjim publik të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa.
Kthimi i fitimit rreth 30 milionësh në interes të shtetit eventualisht në një projekt të madh si spital apo stadium kombëtar, tatimi i kapitalit të fituar si dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së këtyre institucioneve ishin propozimet e bëra në këtë dëgjim.
Përfitimet që këto institucione kanë, sipas deputetëve anëtarë të komisionit, janë shqetësuese pasi këto institucione janë të thirrura të ndihmojnë grupe të caktuara. Ndërsa, sipas deputetëve, këto institucione po dëmtojnë interesat e qytetarëve përmes kamatave të larta, raporton Ekonomia Online.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha se propozimi është që OJQ-të të lejohen të shiten me qëllim të kapitalit të akumuluar.
Ndërsa Arsim Bruçaj, nga Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare, propozoi që OJQ-të të mos shiten. Sipas tij, ato nuk do të shuhen dhe të gjithë kapitali të përdoret për statusin për të cilin vepron.
Taulant Hoxha, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, tha se paratë e fituara nuk guxojnë të shkojnë në xhep të askujt.
“Përderisa hyjnë në lojë diskutimet e natyrës komerciale për një etnitet joprofitabil, atëherë është shumë problem që të kyçemi në diskutimet e zgjidhjeve.”
Të mos ndërhyhet në autonominë e tyre, të mos ndërhyhet në lirinë e asocim, që të mos ndërlidhet me Projektligjin për OJQ-në, sepse flet në përgjithësi, nuk mundemi që me një ligj që trajton sektorin në përgjithësi të zgjidhim një çështje që është një nga mijëra fushat e OJQ-së”.
Sipas Hykmete Bajramit, devijimi i këtyre institucioneve është problemi kryesor.
Ajo tha zgjidhja e vetme është që kontribuesit në këtë kapital të jenë përfitues të kapitalit.
“Me vetë faktin që janë bë për me u marrë me grupet e margjinalizune e në anën tjetër i kanë ngarku deri 28% qytetarët, atëherë këto kanë deviju. Tash po e riformulojmë, po thojmë që OJQ munden me shitë kapitalin e tyre prapë ato mujnë me përdorë prapë”.
“Unë konsideroj se e vetmja zgjidhje do të ishte që kontribuesit në këtë kapital të jenë përfitues të kapitalit. Nuk mund të lejojmë diçka tjetër sepse është komplet e papranueshme”.
Milaim Zeka ka akuzuar edhe ambasadat ndërkombëtare për moslejimin e ndryshimit të ligjit.
Sipas Dardan Sejdiut, është e rëndësishme që të mos bllokohet ligji për OJQ-të, raporton EO.
“Janë 75 mijë klienta, portofoli është diku 159 milionë euro dhe kjo po rritet. Pra ka treg, ka qytetarë bujq, ka njerëz që janë të interesuar që me marrë shuma që këto mikrofinanca po i interesojnë”.
“Unë mendoj që duhet të vendosim tri-katër elemente si mundemi me shërby një grup target me financa që po e shërbej si institucionet mikrofinanciare që janë OJQ. Si të sigurohemi që profiti i akumuluar të tatohet, si të sigurohet që jemi vazhdimësi për 75 mijë klientë. Mendoj që është me rëndësi mos me u blloku me ligjin për OJQ-të”.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, tha se për këtë çështje duhet të gjendet një zgjidhje.
“Nëse ne mendojmë për një stabilitet financiar, atëherë duhet të bëjmë zgjidhje. Ne e dimë çka nuk duhet me bo, sepse i kemi përpara të gjitha vendimet qe na i ka sjellë Gjykata Kushtetuese, por ne duhet ta gjejmë mënyrën çka me bo”.
Nait Hasani tha se fondi prej 30 milionëve duhet të jetë fond që i shërben shtetit.
“Kjo çështje është shumë e paqartë, ngase projektligji nuk i ka leju formën e tillë të organizimit të mikrofinancave. Statusi për përfitim publik dhe statusi jo për përfitim publik. Janë rritë zhvillimi ekonomik i mikrofinancave, varfëria ka mbetë. Fondi që është kriju 30 milionë duhet të jetë fond që t’i shërbejë shtetit”.
Lumir Abdixhiku tha se këto 30 milionë do të ishte mirë të investohen në një projekt të madh.
“Kapitali në emër të Kosovës prej donatorëve t’i mbetet Kosovës, pra bëhet fjalë për 30 milionë euro. E mira kish me qenë që këto para t’i dërgoni në një projekt të madh, fitimi i akumuluar për 20 vjet ta tatimoni në mënyrë retroaktive. Situata e tretë ideale që këto institucione të bëhen të qëndrueshme e të paguajnë tatim. Për t’i ruajtur punëtorët aty ju do të mund të kaloni në një fazë pa kapital të trashëguar”.