Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione në Kuvendi i Kosovës ka diskutuar mundësinë e organizimit të një vizite në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, për të adresuar shqetësimet lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut për ish-krerët e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e Komisionit, deputetë të partive parlamentare kanë paraqitur qëndrime të ndryshme për mënyrën e realizimit të kësaj vizite, përfshirë bazën ligjore, përbërjen e delegacionit dhe qëllimin e saj, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave të njeriut.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Artan Behrami, tha se duhet të organizohet sa më shpejt një vizitë në Hagë nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, duke kujtuar se në të kaluarën ky komision ka vizituar edhe krerët e UÇK-së dhe ka diskutuar me përfaqësues të kësaj gjykate. Sipas tij, duke qenë në fazat e fundit të procesit, është jetike që Komisioni të adresojë edhe një herë shqetësimet e ish-krerëve të UÇK-së për të drejtat e njeriut.
“Të organizohet një vizitë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut sa më parë, sa më urgjent në Hagë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Ku në të kaluarën ka praktikë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut që ka vizituar edhe krerët e UÇK-së, po ka diskutuar edhe për përfaqësuesit e kësaj gjykate. Meqë jemi në fund të këtij procesi, unë mendoj që është jetike që ky komision edhe një herë t’i adresojë të gjitha shqetësimet e krerëve të UÇK-së që ndërlidhen me të drejtat e njeriut. Po ashtu propozojmë pikërisht në këtë komision të thirren edhe ata që tashmë kanë kaluar këtë proces, siç është Gucati, Haradinaj dhe të tjerët, për të marrë edhe përshtypjet e tyre sa i takon të drejtave të njeriut ose mosrespektimit të të drejtave të njeriut nga Gjykata dhe të krijohet këtu ndoshta edhe një raport i Komisionit që t’u dërgohet edhe organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut dhe kështu krijojmë një farë mekanizmi të mbikëqyrjes së të drejtave të njeriut”, tha ai.
Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje-së, Salih Zyba, theksoi se për vizitat në Hagë duhet të arrihet fillimisht një përfundim se mbi çfarë baze do të realizohen, duke sqaruar numrin e pjesëmarrësve dhe karakterin e vizitave, si dhe duke marrë informacione për procedurat, përgjigjet institucionale dhe shpenzimet, në mënyrë që Komisioni të përcaktojë qartë mënyrën e përfaqësimit në këto vizita.
Sa i përket personave që janë liruar tashmë nga Haga, ai tha se është mirë që vetë Komisioni t’i vizitojë në organizata ku ata punojnë.
“Për vizitat në Hagë nuk besoj që është dikush kundër këtu, mirëpo duhet të vijmë te një përfundim se me çfarë baze mund të shërbejmë ne atje, duke e përkufizuar numrin e prezencës edhe karakteri i vizitave është i përkufizuar atje. T’i përcillet stafit se si procedohet dhe si e marrim përgjigjen, deri te edhe numri i prezencës atje, deri te shpenzimet se si janë, se na duhet me ditë me na shërbyer mbledhjen tjetër që me mujt me u përzgjedh ose përkufizuar në numër se si shkohet vizita në emër të Komisionit kur bëhet fjalë”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, tha se do të ishte mirë që në këtë vizitë të marrë pjesë nga një përfaqësues nga secila parti politike.
