Pas shumë javësh diskutim e intervistim, deputetët që përbëjnë komisionin hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq nuk kanë arritur të kryejnë raportin final që do të dorëzohet në Kuvend, në kohën që ishte paraparë. Ata kanë kërkuar kohë shtesë nën arsyetimin që nuk patën kohë të mjaftueshme në dispozicion.
Për Gazetën Express, këtë e ka konfirmuar zëvendëskryetari i komisionit Driton Selmanaj, duke pohuar se nuk përjashtohet mundësia që të thirren intervistime të reja
Dje ishte paraparë që Kuvendit të Kosovës t’i dorëzohet raporti nga intervistimet e disa personave, që u bënë nga deputetë të Komisionit hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq.
Por, prapavijat e asaj se çka u tha, shumicën e kohës me dyer të mbyllura për media, nga ata që u panë si të përfshirë e që dhanë rrëfimin e tyre, nuk do të përcillen në Kuvend edhe për një muaj tjetër.
Kjo pasi që të hënën, komisioni nuk arriti të përfundojë raportin e plotë, e deputetët u ankuan se patën pak kohë për të bërë këtë.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe zëvendëskryetari i komisionit, Driton Selmanaj.
“Kemi kërkuar edhe një muaj shtesë. Kjo pasi që deputetët po deklarohen se që të përfundojë puna e komisionit nuk ka pasur kohë mjaftueshëm”, është deklaruar Selmanaj.
Deputeti i LDK-së po thotë edhe se meqenëse nuk ka pasur një kohë të caktuar për dorëzim të raportit nga mandati aktual, koha për dorëzim të raportit është shtyrë edhe për një muaj tjetër.
Megjithatë, ai i ka thënë Express-it edhe se nuk e përjashtojnë mundësinë që të thërrasin intervistime të reja, ashtu siç pati raportuar edhe T7 se gjatë intervistimeve janë vërejtur deklarata kundërthënëse në mes të Shpend Maxhunit e Driton Gashit.
Intervistimet e më shumë se 23 personave kanë zgjatur për gati dy muaj e përfunduan më 5 dhjetor.
Ditën e fundit të raportimeve, u thirr për të tretën herë edhe presidenti Hashim Thaçi që refuzoi të përgjigjet, ndërkaq folën edhe familjarët e të deportuarve.
Deputetë të pozitës qenë më të zëshmit që komisioni të funksiononte me dyer të mbyllura, përjashtimisht rastit të kryeministrit Ramush Haradinaj e ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Komisioni i krijuar në Kuvend po heton rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i këtyre shtetasve turq nga Kosova, ndërkaq, disa herë nga ky komision janë deklaruar para mediave se kanë hasur në një numër të madh të parregullsive.
Më 29 mars të këtij viti, me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.
Deportimi i tyre ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.
Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen, dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.
Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.