Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka mbajtu mbledhjen e radhës me dyer të mbyllura.
Media janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Qendrës së Gjenevës për Siguri, Zhvillim dhe Sundimin e Ligjit (DCAF).
Medieve iu tha se takimi ka qëllim njohës lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen, raporton Ekonomia Online.
DCAF ndihmon shtetet partnere në zhvillimin e ligjeve, institucioneve, politikave dhe praktikave për të përmirësuar qeverisjen e sektorit të tyre të sigurisë përmes reformave gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse të bazuara në normat ndërkombëtare dhe praktikat e mira.
DCAF gjithashtu këshillon qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare në hartimin dhe zbatimin e programeve të tyre për mbështetjen e shteteve në zhvillimin e qeverisjes së sektorit të tyre të sigurisë, raporton EO.
Këshilli i DCAF përbëhet nga 62 shtete anëtare dhe gjashtë vëzhgues të përhershëm. Me aktivitete operacionale në mbi 70 vende, DCAF është njohur ndërkombëtarisht si një nga qendrat kryesore për qeverisjen e sektorit të sigurisë dhe reformën e sektorit të sigurisë.