Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka diskutuar lidhur me propozimet për emërimet e reja në Shërbimin diplomatik dhe respektimin e kuotës së paraparë me ligj, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, tha se për shkak të shkeljes së kuotës që është bërë në ministrinë e Punëve të Jashtëm komisioni nuk mund të lejojë të shkojë dhe më tutje.
Ajo tha se komisioni nuk ka nevojë që të shkel ligjin duke emëruar ata. Osmani tha se do të dërgoj një letër ministrit të Punëve të Jashtme që të bëj një balancim në mes të emëruarve.
Sipas saj, emërimet duhet të bëhen në mënyrë të barabartë me kuotën 50% për emërime politike dhe ambasadorë karriere.
“Unë do të ja dërgoj një letër ministrit të punëve të jashtme që të bëj këtë balancim e në momentin që bëhet kjo ne do të ulemi të intervistojmë emrat e të vendosim”.
Deputeti i VV-së, Visar Ymeri tha se qëllimi i ligjit për respektimin e kuotës bëhet për të mos lejuar mospolitizimin e sistemit.
“Ideja e këtij ligji është e mospolitizimit te sistemit. Në kuadër të kësaj duhet me bë zbatimin e ligjit e sa i përket cilësisë besoj që mundemi me bë përmes inkurajimit te personave për të aplikuar për këto poste”.
Në këtë komision gjithashtu u formuan edhe dy grupe punese lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve nga fushëveprimi i komisionit.
Grupi i parë do të merret me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve që lidhen me ministrinë e Punëve të Jashtme, ligjin për sanksione ndërkombëtare, për diplomaci, raporton EO.
Ndërsa grupi i dytë do të merret me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve për ministrinë e Diasporës dhe Investime Strategjike.
Për formimin e këtyre grupeve punuese, deputeti Zafir Berisha, tha se do të jetë problem monitorimi i shumë ligjeve njëkohësisht andaj edhe propozoi që të zgjedhen ligjet më me prioritet.