Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka reaguar ndaj sulmeve të fundit që kanë ndodhur me autobus dhe të rinjve shqiptarë që u rrahën nga serbët në Novi Sad të Serbisë.
Teuta Haxhiu tha se duhet të ngriten çështjet e tilla, pasi që sulmi që ndodhi në Novi Sad iu bë një të riu, i cili nuk kaloi pa pasoja, raporton Ekonomia Online.
Shemsi Syla tha se të gjitha aktet gjatë të cilave sulmohen njerëz të pafajshëm, janë të dënueshme.
“Janë të dënueshme aktet që sulmohen njerëz të pafajshëm dhe cenohet liria e lëvizjes dhe e drejta e njeriut me qenë i lirë”.
“Ne si komision, për ne nuk janë të kapshme asnjë rast dhe janë të dënuara aktet e tilla që cenojnë të drejtën e njeriut.
Sasa Milosavljevic tha se akte të tilla duhet të dënohen në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh ndaj kujt janë drejtuar.
“Mendoj që duhet të shkojmë në mënyrë të barabartë, këto akte që po ndodhin dhe të dënohen në mënyrë të barabartë. Nuk ka nevojë me pasë ndasi, sepse do ishte gabim nëse ne tani bëjmë një selektim për këtë duhet të dënohen e për këtë jo. Unë konsideroj se barabartë duhet të dënohen cilido akt i tillë, pa marrë parasysh se kujt i është drejtuar, serbëve, shqiptarëve, romëve, ashkalive, etj., sulmi duhet të dënohet dhe të vihet para drejtësisë”, tha Milosavljevic.
Veton Berisha tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që të mos ndodhin akte të tilla të dhunës.
Është shumë e nevojshme për një marrëveshje parësore dhe kështu dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë sa më parë që të mos ketë aktë të tilla”, tha Berisha.
Luljeta Veselaj-Gutaj pati pyetje ndaj deputetit serb.
“A e keni dënu aktin që ka ndodhë me Çlirimin, sepse ai ka qenë një 18-vjeçar dhe në rrugë ka pësu gati vdekjen, a keni pasë reagim?”
Sasa Milosavljevic u përgjigj në emrin e tij personal dhe tha se gjithmonë do t’i dënojë aktet e tilla kudo që ndodhin.
“Unë personalisht si njeri nuk pajtohem dhe do t’i dënoj aktet e tilla kudo që ndodhin dhe po ashtu e dënoj sulmin e djalit që ka ndodhë në Novi Sad. Apeloj që rastet e tilla nuk na shpien askund, por i çrregullojnë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve”.
Ai e pranoi që publikisht nuk ka reaguar deri më tash, me arsyetimin se nuk ka reaguar as gjatë sulmeve që kanë ndodhur ndaj serbëve në të kaluarën.
“Publikisht nuk kemi reaguar, nuk është hera e parë. Nuk kemi reaguar as për sulmet e mëhershme publikisht që kanë ndodhë edhe ndaj serbëve, por nëse unë tani po them publikisht që dënoj këto raste është një gjë që është e turpshme dhe konsideroj dhe dua të them që çështjet e tilla kurrë mos të ndodhin askund në botë dhe dënoj cilindo akt të tillë si përfaqësues i Listës Serbe dhe shef i grupit parlamentar”.
Mexhide Mjaku-Topalli kritikoi deputetët serbë, të cilët i akuzoi se nuk i vizitojnë asnjëherë serbët që jetojnë në Mitrovicë të Veriut dhe Novobërdë, të cilët, sipas Mjakut, janë ankuar për mosinteresimin e tyre.
“Disa ditë që ikën kemi pasë aktivitete në Mitrovicë të Veriut dhe Novobërdës nëse juve ju interesojnë të drejtat e njeriut, atëherë do ishte mirë të ktheheni me këmbë në tokë këtu ku jeni dhe të punoni për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, ata thanë se asnjëherë nuk vizitohemi nga deputetët serbë për t’i trajtuar problemet që po i hasin”.
Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijës nga Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje, theksoi se ky projektligj është shumë i rëndësishëm.
Anëtarja Teuta Haxhiu tha se ligji duhet të hyjë sa më parë në zbatim dhe është shumë i nevojshëm.
Anëtarja Mexhide Mjaku-Topalli tha se ky ligj është më se i vonuar, pasi që është tejet i domosdoshëm, raporton EO.
“Pajtohem të organizojmë një punëtori dhe të ftohen partnerët që na kanë ndihmuar dhe të bëhet një analizë e projektligjit të kaluar me atë të tanishmin dhe pastaj të vazhdojmë me çështje që ne kemi mendu që është e rrugës“, tha Mjaku-Topalli.
“Duhet të bëhet një shtëpi për fëmijë, pa e eliminuar gjithë punën që kemi bërë një javë në Suedi dhe në qoftë se ka ende paqartësi, kemi dokumentet për të arsyetuar nevojën dhe domosdoshmërinë e atyre fëmijëve do të jem e gatshme për këtë projektligj dhe e gatshme të udhëheqë këtë grup, sepse është shumë i domosdoshëm të bëhet sa më shpejt ky ligj dhe të marrë vizën për zbatim”, tha Mjaku-Topalli.
Veton Berisha tha se për mbrojtjen e fëmijëve ka pasur mekanizma, por jo veprim.
Lirije Kajtazi tha se asnjë ministri nuk mund të jetë indiferente ndaj kësaj kategorie, pasi që secila ka detyrime ndaj fëmijëve.