Kandidatja për profesoreshë asistente në lëndët Forma muzikore dhe kompozim në Fakultetin e Arteve (FA) në Prishtinë, Lyra Kastrati, po pretendon se komisioni vlerësues i Fakultetit e ka eliminuar padrejtësisht duke e favorizuar një tjetër kandidat.
Kastrati e cila ka qenë gjashtë vjet e angazhuar në lëndët Forma I thotë se kandidati Zymberi nuk i ka plotësuar kriteret më shumë se ajo, por që komisioni e favorizoi për shkak të lidhjeve familjare me ish-ministrin e Kulturës dhe zyrtarin e lartë të LDK-së, Kujtim Shala, shkruan sot Koha Ditore.
Komisioni vlerësues i Fakultetit të Arteve është përbërë nga Mendi Mengjiqi, kryetar dhe dy anëtarët, Valton Beqiri dhe Kreshnik Aliçkaj.
“Zymberi nuk i ka plotësuar kriteret as përafërsisht sikur unë që i kam përfunduar studimet në një universitet prestigjioz të Gjenevës, studime ku kërkohen punime shkencore në secilën lëndë. Ky person nuk ka ligjëruar asnjëherë lëndët Forma 1 dhe 2. Ai është favorizuar për shkak se ka lidhje politike me ish-ministrin Kujtim Shala”, është shprehur ajo.
Kastrati ka paralajmëruar se fillimisht do të ankohet në Këshill të Fakultetit të Arteve. Më pasë ka thënë se do të ndjekë edhe rrugët ligjore për padrejtësinë që sipas saj i është bërë.