Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), i cili funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian ka votuar sot pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni LIBE ka miratuar raportin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se kosovarët e meritojnë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
“E di se sa e vështirë ka qenë dhe sa punë kanë bërë kosovarët që të arrijnë kriteret për liberalizim. Dëshiroj që ti ofroni mbështetje të plotë raportit pasi që Kosova e meriton të ketë lëvizje të lirë”, ka thënë Fajon.
Ndryshe, pas këtij votimi tani mandatohet Parlamenti Evropian dhe Këshilli për marrëveshje nder-institucionale për liberalizim.