Komiteti Politik i Këshillit të Evropës ka miratuar unanimisht propozimin e Lulzim Bashës për konfiskimin e mbi 300 miliardë eurove pasuri dhe asete Rusisë dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës. Lajmin e ka dhënë vetë kreu demokrat në një postim me video në Facebook.
“Sot në Këshillin e Evropës, Komiteti Politik miratoi unanimisht propozimin tim për një rezolutë dhe një rekomandim nga ana e Asamblesë Parlamentare që bën thirrje për konfiskimin e mbi 300 miliardë Euro pasuri dhe asete të Federatës Ruse dhe përdorimin e tyre për rindërtimin e Ukrainës”.
Ai thekson se ky është një paralajmërim për çdo agresor që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, apo që ka synim pushtimin e territoreve.
“Ky është një lajm i madh për mbështetësit e luftës së drejtë dhe paralajmërim për çdo agresor tjetër në Evropë e gjetkë dhe ne veçanti për rajonin tonë jo pak të trazuar muajt e fundit, se kushdo që përpiqet të kërcënojë sigurinë e stabilitetin apo të agresojë fqinjin me qëllim pushtim territoresh apo imponim me forcë synimesh politike, do të përballet me të njëjta masa”.