Kompania amerikane do të punësojë 2 500 kosovarë

Prishtinë | 04 Tet 2016 | 13:25 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë amerikane “Stone Alliance” e cila do të investojë në Kosovë. Investimi milionësh i kësaj kompanie amerikane do të mundësojë punësimin e 2 500 personave në Kosovë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në prezencën e Ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Kryeparlamentari Veseli tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe ShBA-së po kalon në një etapë të re e cila po i hap rrugë perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë.

Përfaqësuesi i kompanisë “Stone Alliance”, Michael D. Barbero, duke falënderuar kryetarin Veseli për përkrahjen dhe vizionin e tij, pa të cilin, siç tha ai, sot nuk do të ishim këtu, u shpreh i kënaqur dhe i nderuar për nënshkrimin e këtij memorandumi. Ai tha se komuniteti ndërkombëtar, pas pavarësisë së Kosovës, tani është i interesuar të rris ekonominë e saj, në të cilën një rol kyç luajnë investimet e huaja. Ai shfaqi besimin se suksesi i projektit të kompanisë së tij, do ta dërgojë një mesazh të fuqishëm te komuniteti ndërkombëtar, se Kosova është një partner i shkëlqyer për të bërë biznes.

Z. Barbero tha se kompania “Stone Alliance” synon të krijojë 2-3 mijë vende të reja pune në Kosovë, duke operuar me 40 gurthyes dhe katër fabrika, si dhe duke u fokusuar në trajnimin e fuqisë së saj punëtore kosovare.

Duke besuar në suksesin e këtij investimi, Barbero tha se kompania do të jetë investitor i madh në të ardhmen në Kosovë, duke stimuluar rritjen e ekonomisë vendore dhe ngritur reputacionin e biznesit të Kosovës jashtë vendit.

“Sot në rrethana të lirisë suksesi është për ata njerëz që arrijnë të krijojnë vende pune. Ardhja e një kompanie të tille amerikane dhe punësimi i 2500 njerëzve ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ky është orientim i qartë pro perëndimor”, tha Veseli.

Sipas tij, përmes kësaj kompanie do të dërgohet mesazh edhe te investitorët tjerë për të investuar më Kosovë. Edhe ambasadori amerikan dhe kreu i kompanisë “Stone Alliance” e falënderuan kryeparlamentarin Veseli për ofrimin e bashkëpunimit, ndërsa premtuan sjelljen edhe të investitorëve të tjerë amerikanë në Kosovë.

Ndërsa, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është historike sepse Kosova ka nevojë për shembuj të tillë.

“Dy vitet e fundit kemi pasur interesim nga kompanitë amerikane për të investuar në Kosovë. Po e shohim një perspektivë më të mirë për kompanitë amerikane për të investuar në Kosovë. Shpresoj që të shohim më shpesh ngjarje të tilla”, tha Zeka.

Të ngjashme