Kompania e prodhimit të aeroplanëve Boeing ka raportuar për numrin më të vogël të shitjeve në dy dekadat e fundit, teksa vazhdon të përballet me krizë për shkak të incidenteve që kanë ndodhur me aeroplanin e llojit 737 Max.
Kjo nënkupton se ky gjigant amerikan ka humbur titullin e prodhuesit më të madh të aeroplanëve në botë, ndaj rivalit evropian Airbus. Aeroplani i llojit 737 Max nuk është përdorur nga kompanitë ajrore në botë nga marsi i vitit të kaluar, për shkak të rrëzimit të dy prej pajisjeve të këtij lloji, çka kanë rezultuar me 346 persona të vdekur.
Boeing ka thënë se pas pezullimit të blerjeve, si pasojë e aksidenteve, kompania ka shitur 53 për qind më pak aeroplanë për dallim nga viti paraprak. Muajin e kaluar Beoing ka ndalur prodhimin e atij që është konsideruar aeroplani komercial më i shitur 737 Max.
Rivali i Boeingut, Airbus ka thënë më herët gjatë këtij muaji se ka shitur 863 aeroplanë më 2019, duke e konsideruar këtë shifër rekorde për kompaninë. Shefi i ri ekzekutiv i kompanisë Boeing, David Calhoun, ka nisur udhëheqësin të hënën. Calhoun ka thënë se “është i bindur në të ardhmen” e kompanisë, duke thënë se qëllimi kryesor i tij është rikthimi i aeroplanëve 737 Max në qiell.
Ai ka zënë vendin e Dennis Muilenburg, i cili është shkarkuar muajin e kaluar nga pozita e shefit, meqë bordi i kompanisë ka thënë se e ka të nevojshëm “rikthimin e besimit” në Boeing. Industria e aviacionit është duke u përballur me presion edhe për shkak të shqetësimeve për luftë tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. /TCH/