Një firmë sigurie po ofron shuma marramendëse prej 500 000 dollarë për dobësitë zero ditore të zbuluara në iOS duke tejkaluar kështu shumat e larta të shpërblimeve që Apple njoftoi pak ditë më parë.
Firma e sigurisë me seli në Teksas “Exodus Intelligence” tha se do të ofrojë nga 5 000 deri në 500 000 dollarë për problemet e sigurisë në iOS 9.3 dhe më lart. Problemet e sigurisë zero ditore vlerësohen me shuma të tilla ngaqë Apple mund të mos i ketë zbuluar akoma.
Njoftimi i Exodus mund të tërheqë vëmendjen e hulumtuesve të sigurisë nga programi i shpërblimeve të Apple. Kjo e fundit ofron deri në 200 000 dollarë për problemet kritike të sigurisë zbuluar në iOS. Për të pasur rezultatet sa më cilësore Apple po fton të bëhen pjesë e programit vetëm disa hulumtues sigurie të përzgjedhur.
Kjo shënoi herën e parë që Apple vë në jetë një program shpërblimesh. Google dhe Microsoft e kanë bërë këtë gjë prej vitesh për tu siguruar se problemet e sigurisë do të dërgohen tek kompanitë respektive dhe jo të shiten nga hakerët.
Rasti i Exodus zbulon edhe mënyrën e të bërit biznes të kompanisë ndryshe nga Apple. Firma e sigurisë njofton klientët e saj për problemet kritike shumë përpara se ofruesit e softuerit si Apple apo hakerët t’i zbulojnë ato.
Kompania pretendon se mund të paralajmërojë klientët e saj për problemet e sigurisë deri në dy vite përpara se të rregullohen nga ofruesit e softuerit. Programi i shpërblimeve të kompanisë ofron shuma edhe për dobësitë e zbuluara në Google Chrome dhe Microsoft Edge. /PCWorld Albanian/