Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se sipas Marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, Kosova do ta marrë kodin e vet telefonik +383 nga ana e organizatës së specializuar të OKB për telekomunikacion (ITU) me datën 15 dhjetor 2016.
“Kodi 383 është pronë e Kosovës dhe Kosova do ta menaxhojë vetë në mënyrë të pavarur kodin e saj shtetëror, përmes autoritetit të vet rregullator (ARKEP). Menjëherë pas marrjes së kodit telefonik, Kosova dhe ITU do të vendosin bashkëpunim të drejtpërdrejtë zyrtar për të realizuar së bashku procedurat që lidhen me këtë proces” , ka deklaruar Tahiri.
Sipas deklaratave të djeshme të Marko Gjuriqit, të ashtuquajturit drejtor i Zyrës për Kosovë në Serbi, ata do të shtrijnë rrjet të ri telekomunikimi në Kosovë dhe do të ofrojnë shumë shërbime. Por kjo kompani, sipas Edita Tahirit, nuk do të jetë e madhe ashtu siç thotë Gjuriq.
Sipas Marrëveshjes, Kosova do t’i jap një kompanie të re, që do të jetë serbe, të regjistruar në Kosovë një licencë të përkohshme dhe të kufizuar në telefoninë mobile. Kjo kompani e re nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, sepse operatori i tretë mund të vjen në Kosovë vetëm përmes tenderimit ndërkombëtar.
Tahiri tha se kompania e re do jetë minore dhe do të ketë vetëm tre për qind të mbulueshmërisë në raport me dy operatorët e telefonisë mobile Vala dhe Ipko. Derisa Vala është prezentë në 490 lokacione dhe IPKO në 395 lokacione dhe mbulojnë gjithë territorin e Kosovës, kjo kompani e re (mts d.o.o.) do të jetë prezente në 30 lokacione. Me fjalë tjera, Vala dhe IPKO kanë shtrirje të plotë në mbarë Kosovën sepse janë operator të plotë të telefonisë mobile, ndërsa kompania e re do të jetë prezentë vetëm në disa zona edhe atë në mënyrë të përkohshme dhe puna e saj do të përfundojë në momentin kur në Kosovë do të vjen një operator i tretë nëpërmjet të procedurave të tenderimit ndërkombëtar, ashtu siç përcaktohet me ligjet e Kosovës.
“Po ashtu, është me rëndësi të dihet se sipas të dhënave të ARKEP, operatorët mobil Vala dhe IPKO kanë mbi 1 milion e tetëqind mijë (1 800 000) numra që janë në shfrytëzim nga konsumatorët ndërsa kompania e re do ti ketë vetëm gjashtëdhjetëmijë (60 000) që mund t’ia ofrojë konsumatorëve në Kosovë”, ka thënë Tahiri, sipas një komunikate të zyrës së saj.
Në Bruksel u përcaktuan obligimet finale të palëve për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës
Në Bruksel përfunduan bisedimet dy ditëshe, në të cilat u përcaktuan obligmet finale të palëve për zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, njëherit kryenegociatore në dialogun e Brukselit së bashku me delegacionin e ekspertëve të ARKEP-it dhe Telekomit të Kosovës, me sukses mbrojtën qëndrimin që obligimet e palëve të jenë në pajtim me marrëveshjen e vitit 2013 për kodin telefonik, planin aksional dhe konkluzionet e dakorduara më 13 shtator 2016, të zbatohen në mënyrë të përpikët dhe në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës, ashtu siç parashihet në këto marrëveshje.
Ministrja Edita Tahiri, pas përfundimit të bisedimeve deklaroi se tashmë çdo gjë është përcaktuar në detaje për sa i takon obligimeve zbatuese të palëve dhe se Kosova do të bëhet me kod telefonik shtetëror më 15 dhjetor 2016, të cilin do t’ia jep ITU-ja. Ajo shtoi se me këtë marrëveshje Kosova fiton sovranitetin shtetëror në fushën e telekomunikacionit, sepse kodi telefonik e përcakton sovranitetin e saj ndërkombëtar dhe njohjen në botë përmes kodit të saj telefonik. Po ashtu, kjo Marrëveshje hap rrugën e anëtarësimit të Kosovës në ITU dhe më këtë marrëveshje po bëhët njohja ndërkombëtare e Kosovës në fushën e telekomunikacionit.
Ajo po ashtu tha se sipas marrëveshjes së Brukselit, Serbia obligohet t’i dërgoj një letër ITU-së më 3 dhjetor 2016 me të cilën shpreh zotimin se nuk do të pengojë në asnjë mënyrë që ITU t`ia ndajë kodin telefonik shtetëror Kosovës. Ministrja Tahiri, po ashtu shtoi se Kosova do të ketë të gjitha të drejtat shtetërore që të administroj me kodin e vet telefonik sikur gjithë shtetet tjera dhe se në Kosovë do të ketë vetëm një kod 383 dhe të gjitha kodet e huaja që janë përdorur 381, 377, 386 do të kalojnë në kodin e shtetit të Kosovës. Do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të telefonisë mobile dhe fikse të Serbisë në Kosovë, për herë të parë pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999. Thirrjet nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të jenë thirrje ndërkombëtare.
Poashtu Kosova, sipas marrëveshjes, obligohet që t’i jap një licencë të përkohshme dhe të kufizuar një kompanie të re të regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, fushë-veprimtaria e së cilës do të jetë e kufizuar në disa zona të caktuara në Kosovë dhe me nivel të frekuencave që përcaktohet me ligjet e Kosovës. Funksionimi i kësaj kompanie është i kufizuar edhe në aspektin kohorë, veprimtaria e saj do të përfundojë në momentin që në Kosovë do të vie operatori i tretë i telefonisë mobile përmes një tenderi ndërkombëtar.
Në marrëveshje u përcaktua se Telekomi i Kosovës mund t’i jap me qira disa asete të telefonisë fikse për përdorim nga kompania e re, dhe për këtë çështje vendosë Telekomi i Kosovës sepse këto prona janë të saj.
Pas dakordimit të konkluzioneve të këtij takimi, tashmë Kosova po ecë sigurt drejtë marrjes së kodit shtetëror nga ana e ITU-së. Takimi i radhës së ekspertëve të të dyja shteteve do të mbahet në Bruksel para datës 3 dhjetor 2016 ku do të bisedohet për të përcaktuar kufirin frekuencorë.
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Tahiri kishte në përbërje edhe Kreshnik Gashin, koordinator teknik dhe kryetar i bordit të ARKEP si dhe anëtarët e bordit: Nijazi Ademaj, Hazir Hajdari, Bahri Anadolli dhe Shqiprim Pula. Poashtu Ilir Imeri, shef i Departamentit për Komunikime Elektronike në ARKEP, Visar Halimi, shef i Departamentit për Menaxhimin e Frekuencave në ARKEP, Astrit Ajvazi, shef i Departamentit për Monitorim të Radiove dhe Inspeksion në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i Bordit të Telekomit të Kosovës dhe Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës.