Pronari i kompanisë “S//Sprint”, Sami Sopa që merret me prodhimin e veshjeve sportive dhe veshjeve të brendshme, në një intervistë për Telegrafin ka folur për problemet me të cilat përballen ata si prodhues vendor, e po ashtu edhe për produktet të cilat i prodhon në kompaninë e tij. Sopa ka thënë se ambienti i të bërit biznese, dita ditës është duke u përmirësuar, por problem siç tregon ai, vazhdon të mbetët mos furnizimi stabil me energji elektrike.
Pas vënies së taksës prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, sipas tij, për kërkesat për produktet që i prodhon është rritur deri në 15 për qind.
“Vënia e taksës për produktet nga Serbia është dashur të merret me herët, por edhe kështu ka ndikuar pozitivisht tek ne si prodhues vendor. Pas vendosjes së taksës shitja e prodhimeve tona ka filluar të ngritët prej 10 deri në 15 për qind. Analizat bëhet në fund të muajit por sasitë e produktet që porosit blerësit është rritur deri në 15 për qind”, tha ai.
Kompania të cilën e drejton së bashku me anëtarët e familjes ka filluar punën pra 7 vitesh.
“Në fillim kemi bërë prodhimin e veshjeve sportive siç janë: duksat, trenerkat dhe maicat. Ndërsa kohëve të fundit kemi filluar edhe me prodhimin e veshjeve të brendshme. Por brenda dy muajve do të fillojmë edhe me veshjet e brendshme për fëmijë”, tha Sopa.
Ai ka treguar se në vazhdimësi kemi shkuar duke u rritur si “S//Sprint” por edhe konsumatorët na kanë përkrah duke i ble produktet tona.
Pronari i kompanisë “S//Sprint”, Sami Sopa ka thënë se përveç në tregun vendorë ata eksportojnë produktet e tyre edhe në disa vende europiane.
“Përveç që i shesim produktet tona në Kosovës, kemi eksporte edhe në vendet Europiane. I shesim edhe në Zvicër ,Gjermani dhe Francë. Por sasitë më të mëdha eksportohet në Zvicër”, tha Sopa.
Heqja e pagesës së TVSH-së në kufi dhe lehtësirat e tjera që janë bërë nga ana e Qeverisë së Kosovës ka lehtësuar punën e bizneseve, por biznesmeni Sopa thotë se ka ende probleme.
“Qeveria ka ndikuar pozitivisht kur e ka hequr pagesën e TVSH-së nga kufiri, makinerinë që e fusim nuk paguajmë doganë. Ndërsa si pengesë e madhe mbetet mos furnizimi i rregull me energjie elektrike, përveç që kushton kemi edhe dëme në makinat digjitale”, tha pronari i “S//Sprint”, Sami Sopa.
Ai i ka ftuar konsumatorët që t’i blejnë prodhimet e Kosovës sepse duke i blerë këto prodhime e zhvillojnë vendin.