Kompanitë farmaceutike “Moderna Inc” dhe “Merck & Co” i thanë të martën një paneli të Kongresit të ShBA-së se ato presin të fitojnë financiarisht nga vaksinat kundër Coronavirusit, posa të bëhet miratimi i tyre. Kjo deklaratë erdhi në kohën kur janë ngritur shqetësime se jo të gjithë do të mund të kenë qasje në vaksina.
“Ne nuk do ta shesim vaksinën tonë me çmimin e kostos, ndonëse është diçka e hershme, sepse jemi larg të kuptuarit të bazës së kostos”, tha Julie Gerberding, shefe e sektorin për pacientë në kompaninë “Merck”.
Kjo kompani ende nuk i ka filluar testimet e vaksinës eksperimentale në njerëz, duke mbetur prapa konkurrentëve të tjerë, shkruan “Reuters”.
Edhe kompania “Pfizer Inc” ka thënë se synon të shënojë fitim financiar nga vaksina e mundshme kundër koronavirusit, nëse ajo i miratohet. Megjithatë, një zyrtar i alrtë i kësaj kompanie ka thënë se e kuptojnë faktin që këto janë kohëra të jashtëzakonshme dhe se kjo do të reflektohet në çmimin e vaksinës së tyre.
Në nivel global, tash për tash është duke u punuar në rreth 150 vaksina kundër Coronavirusit. Mbi 20 prej tyre tashmë kanë hyrë në fazën e testimit në njerëz.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se synon të ketë një vaksinë të gatshme deri në fund të këtij viti, por ende nuk është e qartë nëse kjo gjë do të realizohet.