Kabineti qeverisës në Prishtinë duket se është kompletuar, pas largimit të Partisë Demokratike të Kosovës nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Të enjten, kryetari Përparim Rama ka prezantuar edhe drejtorin e ri të Sportit, drejtori kjo që kishte mbetur e vetmja pa një drejtues të ri.
Në fillim të këtij shkurti u konfirmuan edhe mosmarrëveshjet e raportuara për një kohë të gjatë mes LDK-së e PDK-së në koalicionin e tyre ne kryeqytet.
Pas disa përplasjeve të njëpasnjëshme nëpër rrjete sociale, Partia Demokratike e Kosovës e kishte konfirmuar edhe zyrtarisht largimin nga koalicioni.
Kush janë drejtorët e rinj?
Fillimisht, siç kishte bërë të ditur më 5 shkurt vet Rama, ai kishte vendosur për një “restrukturim të kabinetit qeverisës”.
Kështu, drejtori i ri i Drejtorisë për Transformim do të jetë Ilir Murseli, arkitekt i njohur, sipas Ramës.
Rama ka bashkuar drejtorinë e Planifikimit dhe atë të Urbanizmit në një drjetori të vetme, duke e emëruar në krye të saj, Arbër Sadikin.
Drejtoria e Pronës dhe ajo e Kadastrit, po ashtu janë shkrirë në një drejtori të vetme dhe udhëheqëse e saj, tash është Doruntina Maloku.
Drejtori i ri i Shërbimeve Publike është Bekim Brestovci. Ndërkaq, Rama, me theks të veçantë kishte përmendur edhe shkarkimin e Donjeta Sahatçiut së PDK-së, të cilën e kishte akuzuar për ngecje në projektin e digjitalizimit.
Pozitën e saj, pra si nënkryetare e kryeqytetit, tash do të mbajë Jehona Lushaku – Sadriu, e cila njëherit do të jetë edhe ushturese e detyrës së Drejtores së Arsimit.
Gjatë kësaj jave, Rama konfirmoi se e ka emëruar në krye të Drejtorisë së Kulturës, Sibel Halimin. Halimi deri më tani, ka mbajtur pozitën si zëdhënëse politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës.” – kishte thënë Rama, derisa njoftoi për emërimin e saj.
Donjeta Dragusha në anën tjetër, e cila deri më tani ka qenë asambliste e LDK-së në kryeqytet, është emëruar Drejtoreshë e Zhvillimit Rural.
Sot ndërkaq, ka përfunduar kompletimi i kabinetit qeverisës. Rama njoftoi përmes një shkrimi në Facebook se e ka emëruar drejtor të Sportit, Bardh Krasniqi.
“Bardhi, një ish basketbollist i shquar në skenën vendore e ndërkombëtare vjen në këtë pozitë si profesionist për ta quar edhe më përpara fushën e sportit. Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur “Qytet i Sportit”.” – tha kryetari i kryeqytetit.
Ndryshe, përplasjet LDK-PDK u bënë publike pas shkarkimit të drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun, vendim ky që e kishte nervozuar shumë partinë e udhëhequr nga Memli Krasniqi.
Sahatçiu atë kohë, e kishte konsideruar këtë vendim si revansh personal.
“Shkarkimi i fshehur i Ilirik Musliut sot përmes rrjeteve sociale, pa e komunikuar tek ai dhe askush tjetër rreth tij, është revansh i pastër. Na duket si revash politik por nga një jopolitikan si Përparim Rama, revanshet janë personale.” – kishte deklaruar ajo.