Komplikohet çështja e ekspertizës zvicerane për Rastin Dehari

Prishtinë | 28 Mar 2017 | 16:50 | Nga

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme ka miratuar rezolutën përmes së cilës i është mundësuar familjes Dehari që të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE’së ose SHBA’së për kryerjen e autopsisë së Astrit Deharit. Familja Dehari në mars të këtij viti ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën përmes së cilës ajo ka përzgjedhur Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.

Por kjo kërkesë e familjes ‘Dehari’ del jashtë parametrave të përcaktuar me rezolutën e Kuvendit, sepse aty përcaktohet që ekspertizën mund ta bëjë vetëm një shtet anëtar i BE’së ose SHBA’së. Por, familja Dehari është përcaktuar për Zvicrën, e cila nuk është anëtare e BE’së.

Por, pavarësisht kësaj, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se propozimin e familjes Dehari me emrin e Qendrës për kryerjen ekspertizës do ta dorëzojë në Qeverinë e Kosovës shumë shpejt. Megjithatë ajo thotë se rezoluta i specifikon vendet , të cilat mund ta kryejnë ekspertizën.

“Rekomandimi i Kuvendit thotë qartë se për ekspertizë duhet të angazhohet një shtet nga Bashkimi Evropian ose SHBA’të. Ndërkohë që ne e kemi pranuar kërkesën e cila në mënyrë specifike e saktëson kërkesën, e cila është Zvicra. Dhe ne e dimë që Zvicra nuk është anëtarë e BE’së. Por unë si ministre e drejtësisë jam e interesuar që këtë çështje ta çojmë deri në fund andaj i mbetet Qeverisë që ta thotë fjalën e saj”, ka thënë Hoxha të martën për Gazetën Express.

Sipas Hoxhës, Ministria e Drejtësisë do ta dërgojë shpejt kërkesën e Familjes Dehari shpejt në Qeveri, e cila do t’i marrë përsipër shpenzimet.

“Zyrtarisht e kemi marrë kërkesën. Dhe sipas procedurave që janë në fuqi neve do ta procedojmë në Qeveri. Nuk mund të ju them kohën se në cilën periudhë kohore do të përfundojë kjo çështje por shpresojmë që brenda një muaji të procedohet. Janë disa procedura që Qeveria duhet t’i ndjekë për pagesat e obligimet financiare, sepse ju e dini se ne do t’i kryejmë shpenzimet lidhur me këtë çështje”, ka sqaruar tutje ajo.

Familja e Astrit Deharit, përmes avokatit Tomë Gashi, tashmë i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë kërkesën në të cilën njoftohet për institutin që familja ka zgjedhur për kryerjen e ekspertizës për Astrit Deharin.

“Duke pasur parasysh vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 20.12.2016, i cili vendim obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës, më konkretisht Ministrinë e Drejtësisë, që në bazë të dispozitave ligjore për bashkëpunim ndërkombëtare, dhe sipas përzgjedhjes së familjes Dehari, të angazhoj dhe të mbulojë të gjitha shpenzimet për hetim të pavarur dhe ekspertiza të pavarura në rastin e aktivistit të LVV’së Astrit Dehari, i cili ka vdekur në qendrën e Paraburgimit në Prizren me datë 05.11.2016”, thuhet në kërkesën e familjes Dehari drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përmes avokatit Tomë Gashi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme