Zyra e Prokurimit në Komunën e Drenasit, pas kërkesës nga Drejtoria e Infrastrukturës Lokale, i ka shkëputur kontratën kompanisë e cila nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktuale në realizimin e projektit “Ndërtimi i kanalizimit në fshatrat Sankoc, Fushticë e Epërme dhe Fushticë e Ulët”.
Paraprakisht, të nijetit operator ekonomik, muajin e kaluar i janë ndërprerë punimet, pasi që menaxherja e këtij projekti ka vërejtur cilësinë e dobët të gypave të cilët ishin të planifikuar për t’u vendosur, e qw ishin në kundërshtim me kontratën e nënshkruar. Gypi është dërguar dy herë në laborator (një herë nga Komuna, dhe një herë nga vet operatori) dhe është vërtetuar se nuk i plotëson kriteret sipas kontratës të nënshkruar mes kompanisë dhe Komunës së Drenasit.
Komuna i ka dhënë afat kompanisë prej dhjetë ditësh të përmirësoj projektin, mirëpo kompania nuk ka bërë asnjë veprim në përmirësimin e punimeve sipas paramasës, prandaj Komuna ka bërë shkëputjen e kontratës.
Komuna e Drenasit kërkon mirëkuptim të qytetarëve në mos përfundimin e projektit sipas planifikimit të paraparë, megjithatë Komuna, rrjedhimisht kryetari Ramiz Lladrovci, është i pa kompromis në zbatimin e kontratave sipas paramasës dhe parallogarisë të nënshkruar mes Komunës dhe Operatorëve Ekonomik.