Stadiumi i qytetit të Prishtinës, së fundi i emërtuar “Fadil Vokrri”, do të bashkëmenaxhohet nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Komuna e Prishtinës, që është pronare, shkruan sot Koha Ditore.
Marrëveshja për menaxhim, të paktën deri në përfundim të ciklit kualifikues për evropianin e vitit 2020, është arritur të hënën në selinë e FFK-së. Marrëveshja është miratuar edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që ndau pjesën më të madhe të rreth 9 milionë eurove për rinovim të stadiumit.
Ndërkohë në klubin e futbollit Prishtina, pretendojnë se kanë kontratë për menaxhimin e stadiumit deri në vitin 2024. Kjo kontratë ishte firmosur shumë kohë para se të niste rinovimi i stadiumit dhe sipas Komunës, më nuk është e vlefshme.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, insiston se klubi Prishtina do ta ketë në shfrytëzim stadiumin vetëm për ndeshje. Për ndonjë kërkesë tjetër, si për shembull ndonjë hapësirë për zyre të klubit, Ahmeti thotë së është i hapur për diskutime. Por ai ngul këmbë se stadiumi do të menaxhohet nga Federata dhe Komuna.