Komuna e Fushë-Kosovës shpenzon 2.4 milionë euro për projekte të dështuara

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 09:17 | Nga

Zyrtarët opozitarë të PDK-së ia kanë numëruar Komunës së Fushë-Kosovës 12 projekte, që, sipas tyre, nuk janë funksionalizuar asnjëherë.

Sipas një raporti, që ata e kanë quajtur “faktmbledhës për devijimet në qeverisjen komunale të Fushë-Kosovës”, shuma e këtyre projekteve që Komuna ka shpenzuar për to është 2 milionë e 487 mijë euro.

Në këtë raport, një kopje të të cilit i është dërguar KD-së, thuhet se këto dështime kanë ndodhur nga veprimet e Komunës të paanalizuara mirë, shkruan sot Koha Ditore.

“Struktura aktuale qeverisëse në Fushë-Kosovë përmes veprimeve jo të analizuar mirë, keqmenaxhimeve dhe abuzimeve e shpërdorimeve me fonde publike dhe detyra zyrtare për vite të tëra përmes investimeve të dështuara, ka dëmtuar buxhetin dhe bazën ekonomike të komunës sonë me 2,487.000 euro”, thuhet në raportin që, sipas PDK-së, është hartuar nga grupet e ekspertëve të pavarur dhe të PDK-së në sektorë të ndryshëm me kërkesë të Kryesisë së PDK-Dega në Fushë-Kosovë.

Zyrtarët e kësaj partie opozitare kanë përmendur objektin e Qendrës së mjekësisë familjare në Graboc që ka kushtuar 50 mijë euro, ndërkohë që qëndron i mbyllur dhe jambi këqyrje.

“Rrjeti i ujësjellësit në Graboc në vlerë 60 mijë euro, asnjëherë i funksionalizuar; objekti i kopshtit të fëmijëve në Bardh të Madh ka kushtuar 75 mijë euro,asnjëherë i hapur dhe pa mbikëqyrje; objekti shëndetësor në Bardh të Vogël, janë shpenzuar 50 mijë euro, i mbyllur pa mbikëqyrje; objekti i Shkollës së Mesme në Bardh të Madh,në vlerë 300 mijë euro, në shkatërrim të përhershëm, i mbyllur dhe pa mbikëqyrje”, thuhet në raportin e PDK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme