Qeveria e Kosovës, konkretisht ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor do të përkrahë financiarisht dy projekte jetike në komunën e Gjakovës – atë për rregullimin e shtratit të lumit “Krena” dhe përfundimin e punimeve për ujësjellësin e në 28 fshatra të Rekës së Keqe, njofton Klan Kosova.
Për këtë, ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj ka qëndruar sot në Gjakovë, me ç’rast bashkë me kryetarin e komunës Ardian Gjini dhe kryeshefin ekzekutiv të KRU “Gjakova” Ismet Ahmeti kanë nënshkruar dy marrëveshjet e mirëkuptimit për bashkëfinancimin e këtyre dy projekteve.
“Kam kënaqësinë që sot ndodhem në Gjakovë për t’i konkretizuar projektet kapitale për qytetarët e kësaj komune. Ministria që unë drejtoj do ta mbështesë në vazhdimësi komunën e Gjakovës, kryetarin Gjini në realizimin e projekteve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor”, ka deklaruar ministrja Reshitaj.
Lumenjtë e Kosovës, sipas ministres Reshitaj, janë pasuri që ne duhet t’i mirëmbajmë e të kujdesemi për ta.
“MMPH këtë vit do të bëjë aerofotografinë e tyre për të parë saktë dëmtimet dhe devijimet e shtretërve të lumenjve. Projekt ky që do të shoqërohet njëkohësisht me projektet tona për rregullimin e shtretërve të lumenjve në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë ministrja Reshitaj.
Pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, kryetari Gjini a thënë se me këto dy projekte po vazhdon realizimi i shumë projekteve jetike për qytetarët e Gjakovës, projekte të cilat janë premtuar dhe do ta bëjnë Gjakovën një komunë shumë më të mirë në të ardhmen.
Nga ana tjetër, ministrja Reshitaj ka thënë se po ndjehet mirë për realizimin e këtyre projekteve në Gjakovë, për faktin se të dy këto kanë qenë projekte të nisura qysh moti dhe të papërfunduara, anipse që të dyja kanë qenë shumë të rëndësishme për qytetarët e komunës së Gjakovës.