PDK: Komuna e Gjilanit po mbyll shkollën më bashkëkohore të bujqësisë

Prishtinë | 22 Shk 2017 | 13:54 | Nga

Në një komunikatë për media të cilën e ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan thuhet se për mbylljen e shkollës së mesme të bujqësisë fajtor është komuna e Gjilanit.

“Të mbyllet sot një shkollë moderne, si kjo e Agrobiznesit “Arbëria”, investim ky 2 milionësh, i përbashkët me “DANIDA”-n daneze, që ishte ndër shkollat më moderne në Kosovë, mbase edhe në rajon (e pajisur më inventar të ri, kuzhinë, laboratorë, kabinete, fermë me 20 krerë gjedhe, me gjithë mekanizmin bujqësor për pemëtari, 3 hektar plantazh pemësh, 0.5 hektar vresht rrushi, 0.6 hektar dredhëz, 10 shoqëri me bletë, pika të përpunimit të qumështit, të mishit, të ruajtjes së pemëve, kioska në qytet për plasim të produkteve të prodhuara nga shkolla, vetura për bartje të produkteve, etj), s’do mend se kemi të bëjmë me një nomenklaturë qeverisëse të dështuar, pa strategji zhvillimore të edukimit dhe pa vizion për të nesërmen”, thuhet në komunat.

Tutje PDK thotë se përkundër kërkesave të shumta që i kanë bërë DKA-së, për t’ua tërhequr vëmendjen për shkak të mos respektimit të kritereve, nuk e kanë përfillur angazhimin e tyre.

Për t’ia vënë drynin kësaj shkolle, komuna, gjegjësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, fillimisht zvogëloi numrin e nxënësve ne paralele, në kuadër të shkollës, duke shtuar numrin e nxënësve në shkolla te tjera, të profileve tjera jo aq me perspektivë si kjo e agrikulturës në regjionin e Gjilanit. Ndërroi menaxhmentin e shkollës, duke larguar kuadrin arsimor nga procesi mësimor si “tepricë teknologjike” ndërkaq instaloi menaxhment joserioz dhe të papërgjegjshëm. Me këtë akt, veç dëmeve të tjera që ka shkaktuar, tash komuna ka rikthyer regjimin e mësimit në tri ndërrime, sepse nxënësit e shkollës së Bujqësisë I ka transferuar në shkollën e mesme teknike, thuhet në kumtesën e dërguar për media nga Partia Demokratike.

Pos edukimit të mirë profesional, Shkolla Bujqësore, brenda dy viteve, kishte sjell edhe përfitime të mira materiale, duke e shtuar buxhetin e komunës, nga produktet bujqësore të kultivuara nga shkolla, deri në 21000 euro ne vit.

Sipas tyre donatori “DANIDA”, nga Danimarka, duke e parë joseriozitetin dhe papërgjegjshmërinë totale të DKA-së në relacion me investimet në Shkollën e Bujqësisë, ka ndërprerë investimin gjysmë milionësh (furnizimin me mekanizëm bujqësor për lavërtari, ndërtimin e një konvikti, etj), dhe gjithashtu, ka rrezik që donatori danez, t’i tërheq investimet që i ka bërë më herët në shkollë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme