Komuna e Gjilanit thotë se gjithçka është nën kontroll pas vërshimeve

Prishtinë | 15 Qer 2018 | 19:36 | Nga

Komuna e Gjilanit gjatë ditës së sotme është përfshirë nga reshje të mëdha të shiut, të cilat kanë përfshirë me ujë disa shtëpi nëpër lagje të ndryshme, duke shkaktuar dëme materiale, por pa rrezikim të jetës së njerëzve.

Vërshime në Gjilan

Në komunikatën e kësaj komune, që u është dërguar medieve, thuhet se nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, të cilët kanë inspektuar pikat e mundshme për vërshime kanë thënë se reshjet e shiut më të theksuara janë kryesisht nëpër disa lagje në qytet, si në lagjen e VIII, lagjen “Iliria”, ku ka depërtime të ujit nëpër disa shtëpi, por ekipet e zjarrfikësve dhe ato të Komunës së Gjilanit janë duke intervenuar ku ka nevojë dhe gjendja është nën kontroll.

Ismajli, ka bërë të ditur se edhe një pjesë e rrugës në drejtim të Ferizajt ka pasur vështirësi në lëvizje fillimisht, por gjendja tani është në normalitet.

Ndërsa nga verifikimi i gjendjes në fshatrat, Ponesh, Zhegër, Llashticë, Cërrnicë, Dobërçan, Pogragjë, Nasal, Velekincë, Kmetoc etj, sa i përket kulturave bujqësore, konfirmohet se nuk ka asnjë dëmtim dhe gjendja është normale.

Apelohet te vozitësit e automjeteve që shpejtësinë e lëvizjes ta përshtatin me kushtet atmosferike, për të shmangur ndonjë aksident të mundshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme