Platforma “e-prokurimi” ende në mos harmonizim me ligjin, problemet teknike evidente në komunat e Kosovës dhe kërkohet nevoja për avancim të sistemit dhe trajnimit të mëtutjeshëm të zyrtarëve në rritje të cilësisë.
Komuna e Klinës nuk ka asnjë punëtor me njohuri se si funksionon prokurimi elektronik, ndërkohë që është duke u diskutuar që së shpejti dorëzimi i ofertave mund të bëhet vetëm elektronike.
“Sa i përket stafit të trajnuar për Prokurim publik dhe përdorimit të e-Prokurimit jemi të hendikepuar. Zyra funksionon me vetëm dy punëtorë. Menaxheri i cili është i vetmi i licencuar dhe një Zyrtare Administrative. Nuk ka asnjë zyrtar që ka ndonjë njohuri për e –prokurim”, thuhet në përgjigjet e Abaz Foniqi, nga zyra e prokurimit të Komunës së Klinës.
Ai tutje ka dhënë shpjegime shtesë. Ka thënë se komuna e Klinës është duke publikuar njoftime në sistemin e prokurimit elektronik. Madje deri më tani, sipas tij, janë publikuar 105 procedura në sistemin e “E-Prokurimit”.
Tutje, ai ka thënë se në tranimet e deritashme shumë pak janë bërë punë praktike, pasi fokusi ishte më shumë në teori.
Komuna e Klinës nuk është e vetmja me telashe me sistemin e prokurimit elektronik. BIRN është interesuar të kuptuar më tepër edhe sa i përket përgatitjes, së stafit për kryerjen e procedurave të prokurimit në mënyrë elektronike dhe “e-prokurimit”.
Janë 17 komuna të përfshira në këtë analizë të cilat kanë dhënë vlerësimet e tyre sa i përket arritshmerisë dhe përgatitjes së tyre nga trajnimet për të kryer prokurimeve në mënyrë elektronike.
Nga nota më e ulët 1 si cilësi e dobët deri te ajo më e lartë e vlerësuar me 5, autoritetet kontraktuese komunale kanë gjetur veten sa i përket kryerjes së prokurimeve elektronike.
Nga gjithsej 17 komuna, janë dy komuna të cilat janë vetëvlerësuar me notën 5-së, janë tri komuna me notë 4 dhe një komunë me notën 3. Përderisa 5 komuna të tjera nuk kanë dhënë një vetëvlerësim.
Nga këto të dhëna të grumbulluar rezulton se mesatarja e përgjithshme sipas vetëvlerësimeve të komunave është shumë mirë 4, përderisa për komunat e tjera që nuk kanë ofruar të dhëna nuk dihet se sa janë të mësuar me platformën që procedurat do të mund të kryheshin vetëm në mënyrë elektronike.
Komunat e Kosovës ende vazhdojnë të ballafaqohen me probleme me prokurimin elektronik. Vështirësi në ndarjen e projekteve kapitale në shuma të vogla, bllokimi i sistemit, puna e ngadaltë e tij e deri tek ristartimi i shpeshtë që po ndikon në humbjen e të dhëna, janë disa nga problemet e evidentuara. Përvec kësaj përmenden edhe mos harmonizimi me ligjin, problemet me përgatitjen e dosjes së tenderit për shkak të mospranimit të shënimeve, problemet me data në njoftime, janë sfidat të cilat janë identifikuar nga disa komunat e përfshira në këtë analizë.
Pengesat e sistemit te prokurimit
Komuna e Deçanit thotë se kishte pengesa për shkak të mos harmonizimit të ligjit me programin e KRPP-së.
“Komunikimi me stafin e KRPP-së është i shkëlqyeshëm, ata janë shumë transparent dhe komunikativ. Pengesa ka në përpunimin e programit nga ana e KRPP-së dhe harmonizimin e tij me Ligjin e Prokurimit Publik të Kosovës”, thotë komuna e Decanit në përgjigjet dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.
Komunës së Gjakovës thotë se ka probleme të shumta, duke filluar nga përgatitja e dosjes së tenderit.
“Si staf, ballafaqohem me probleme të shumta gjatë procesit të përgatitjes së dosje, bllokimit të sistemi, të dhënat duhet kontrolluar në detale, pasi që në disa raste ka mundësi që në njoftim për kontratë regjistrohen e në dosje JO. Me mundësit që i kemi mundohemi që në maksimum të përcjellim platformën dhe sa më pak të kemi gabime teknike, të cilat kanë qenë në disa raste”, thuhet në përgjigjen e komunës që udhëhiqet nga Ardian Gjini.
Kjo komunë thotë se 5 zyrtar të saj i kanë ndjekur trajnimin 2 ditor të prokurimit, por ata kanë vlerësuar se i njëjti ka qenë shumë i shkurtër.
Ndarjen e projekteve kapitale përmes sistemin nga Komuna Drenasit thonë se e bënë me vështirësi.
“Vështirësi tjetër është ndarja e projekteve kapitale nga Kuvendi i komunës në shuma të vogla. Për vitin 2018 janë rreth 164 projekte kapitale për të cilat duhet të kryhen procedurat”, thotë komuna e Drenasit.
Në anën tjetër në përgjigjen e Komunës së Istogut, thuhet se stafi është komplet i trajnuar dhe profesionalisht i përgatitur për punë.
Në Mitrovicë thonë se kanë pas probleme me çelësa, por se me ndryshimin e rregullores, është eliminuar. “Në fillim kemi pasur disa pengesa shumë të vogla ose minimale me dërgimin e çelësave, por me hyrjen në fuqi të ndryshimit të rregullores për Prokurim Publik është eliminue edhe pengesë e vogël dhe jemi në gjendje që edhe vetëm me oferta elektronike të kryhet prokurimi”, thuhet në përgjigjen e komunës së Mitrovicës.
Në komunën e Lipjanit problemet janë shfaqur gjatë hapjes së ofertave, si dhe kishte telashe me datën e publikimeve.
“Gjatë hapjes së ofertave paraqiten pengesa të herëpashershme: Sistemi ka nevojë për avancim të mëtutjeshëm, në njoftimin për dhënien e kontratës data e mbylljes nuk është e saktë”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Prokurimit të Komunës së Lipjanit.
Ndërkohë, në komunën e Prizrenit thuhet se zyrtarët janë të certifikuar dhe kanë njohuri të mjaftueshëm për prokurim elektronik. Por, ata thonë se ende ka mangësi sistemi i “e-prokurimit”.
“Ka ende mangësi në programin e ‘e-prokurimit’, por ne në vazhdimësi i identifikojmë vërejtjet e gjetura dhe të njëjtat i përcjellim në tavolinën ndihmëse në KRPP për të bërë përmirësimin gjegjësisht korrigjimin e parregullsive eventuale”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Prizrenit.
Nga komuna e Suharekës thonë se sistemi elektronik po i eliminon procedurat e vlerësimit të dosjeve shumëfaqëshe apo dokumenteve që nuk janë kërkuar fare në dosje. Komuna kërkon që të aplikohet ky sistem në tërësi.
“Sistemi elektronik duhet të aplikohet në tërësi. Edhe dorëzimi edhe të gjitha duhet të bëhen në formë elektronike, sepse kjo po i heq apo i eliminon procedurat e deritanishëm të vlerësimeve të dosjeve me qindra faqe pa pasur nevojë apo qindra dokumenteve që fare nuk janë kërkuar në dosje. Përveç kësaj gjatë punës duhet të eliminohen pengesa/mangësitë në sistem, e që janë paraqitu nga ne si autoritete kontraktuese, sepse ne saktë i shohim mangësitë gjatë punës”, thotë komuna e Suharekës në përgjigjet për Gazetën Jnk.
Kërkohen trajnime shtesë
Edhe Komuna e Vitisë është ankuar për trajnime të pamjaftueshme të zyrtarëve të prokurimit.
“Trajnimi jo i mjaftueshëm i stafit, mos njohuritë e operatorëve ekonomik lidhur me procedurat elektronike dhe sistemin ne përgjithësi, si dhe mungesa e harmonizimit teë Ligjit të prokurimit dhe sistemin elektronik, sepse është jokompaktibil me Ligjin”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vitisë.
Nevojë për trajnime shtesë e ka ngritur edhe Komuna e Hanit të Elezit.
“Duhet të kemi stafin e trajnuar, sipas sistemit dhe mund të zhvillojmë procedurat e punës sipas sistemit edhe pse çdo procedurë duhet të kalkulohet + 3 ditë më tepër për arsye të platformës”, thotë komuna e Hanit të Elezit.
Përgjigje për përformancën e sistemit të prokurimit ka dhënë edhe Komuna e Mamushë. Ata thonë se zyrtarë e kësaj komuna thonë se tashmë zyrtarët e trajnuar janë shëndërruar në trajner.
“Trajnimin për prokurimin elektronik nga Komuna e Mamushës janë duke e ndjekur 15 (Pesëmbëdhjetë) zyrtar. Ne e kemi regjistruar Autoritetin Kontraktues në platformën e e-prokurimit, ndërsa me zyrtarët tjerë të cilët nuk e kanë ndjekur trajnimin në fjalë jemi duke punuar në mënyrë që të jenë të përgatitur për kryerjen e funksioneve të tyre rreth prokurimit elektronik”, vazhdon tutje përgjigja e komunës së Mamushës.
Ristartimi i shpeshtë i sistemit, puna e ngadalshme dhe humbja e shënimet janë pengesat që kjo komunë po ballafaqohet.
“Pengesat më të shpeshta në sistemin elektronik janë sa i përket punës së ngadalshme, ri-startimi i shpeshtë i sistemit me ç ‘rast duhet të fillohet futja e shënimeve nga fillimi, mos përgjigjja e komandave etj”, thuhet në përgjigjen e komunës së Mamushës.
Edhe Komuna e Junikut është ankuar në bllokimin e sistemit të prokurimit.
“Konsideroj se pengesa më e madhe që po ballafaqohemi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit në sistem elektronik deri më tani, është bllokimi I sistemit gjatë hapjes së tenderëve”, thotë komuna e Junikut.
Gazeta Jeta në Kosovë është duke grumbulluar dhe analizuar të dhënat edhe nga komunat tjera për të ardhur deri tek një pasqyrë se si po funksionon puna me prokurimet elektronike, dhe përgatitja e stafit lidhur me to.
Emisioni Jeta në Kosovë e ka trajtuar ‘ngecjet e e’prokurimit’. Agron Ibishi, zyrtar në KRPP, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tregoi arsyen e dualizimit të mënyrës së ofertimit në prokurimin publik deri më tani, megjithëse e-prokurimi është implementuar.
“Është dashur kështu derisa të sigurohemi ne që ofrojmë shërbime të sigurta dhe që sistemi është funksional tërë kohën. Objektivat janë që në shtator të këtij viti që të mos ketë oferta fizike në prokurime qendrore dhe në janar të 2019 ofertat fizike të ndalohen”, tha Ibishi.
Kurse, Isuf Zejna nga Demokracia Plus vlerësoi se e-prokurimi nuk është stabil si softuer.
“Kjo platformë është ndërtuar keq. Nuk e di se sa kanë arritur KRPP ta stabilizojë. Ka pasur një numër shumë të madh të ankesave të operatorëve ekonomikë që kanë dështuar të ofertojnë”, tha Zejna.