Komuna e Klinës vlerëson se ka ardhur koha të dalë nga karantina

Prishtinë | 29 Pri 2020 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Prej 13 marsit, kur është shfaqur rasti i parë me virusin COVID-19 në Klinë, gjithë territori i komunës gjendet në karantinë.

Pas një muaj e gjysmë izolim me ndalesat të hyrjes se daljes, zyrtarët e komunës konsiderojnë se ka ardhur koha që të hiqet kjo masë e parandalimit për shpërhapjen e virusit korona.

Drejtori i Shëndetësisë, Hekuran Sejdiu tha për KOHËN se gjendja në këtë komunë është e mirë dhe e menaxhueshme, porse dalja nga karantina nuk varet prej dëshirës së komunës, por nga vlerësimet që duhet t’i bëjë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne nuk kemi kërkuar që të hiqemi nga karantina, pasi komunat nuk po pyeten, por janë vlerësimet e Institutit dhe të Ministrisë. Ne kemi dhënë mendimin tonë që jemi që të rishikohet kjo masë dhe të shkohet drejtë heqjes së masës së karantinës. Ne mendojmë që duhet të rishikohet masa e karantinës në Klinë”, thotë Sejdiu.

Kjo komunë është shpallur zonë në karantinë që nga 13 marsi, kur edhe është diagnostikuar pozitivisht me virusin COVID-19 një shtetase italiane, e cila ka qenë pjesë e organizatës CARITAS të Italisë, e cila vepron në Komunën e Klinës dhe ndërkohë pasi është shëruar ajo është kthyer në Itali.

Deri tash në këtë komunë, siç tha Sejdiu kanë qenë gjithsej pesë raste, dhe aktualisht janë vetëm dy, në dy fshatra.

Për shkak të situatës në karantinë, me projektin e Drejtorisë së Shëndetësisë, personeli mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë kishte vizita mjekësore nëpër shtëpi për të gjithë qytetarët e Komunës së Klinës, të cilët nuk kanë mundësi të marrin shërbimin mjekësor në QKMF.

Sejdiu, theksoi se pas përhapjes së virusit, ka qenë shumë e rëndësishme që të realizohen vizitat mjekësore nëpër shtëpi te pacientët që kanë vështirësi të lëvizin apo që kanë sëmundje kronike, ndërkohë që urgjenca në QKMF ka qenë 24 orë në shërbim. Kërkesat për vizita të mjekëve nëpër shtëpi, sipas Sejdiut ka pas mjaft dhe kryesisht kanë qenë të personave të moshuar.

“Projekti ‘mjekut nëpër shtëpi’ është funksional dhe vazhdimisht ka kërkesa. Por ditët e fundit ka më shumë vizita në QKMF pasi si duket qytetarët edhe janë lodhur nga izolimi”, thotë Sejdiu.

Të ngjashme