Në nderim të mërgatës, komuna e Lipjanit ka organizuar festivalin “Mërgata & Sports”, raporton Ekonomia Online.
Nën patronazhin e kryetarit të kësaj komune, Imri Ahmeti, koncerti mblodhi qindra qytetarë ku kanë performuar artistë të njohur shqiptarë si Nora Istrefi e Donjeta Morina.
Organizatori i këtij festivali, Alban Zejnuallahu ka thënë se festivali, i cili do të mbahet për tre ditë me radhë, tashmë është bërë traditë për Lipjanin.
Ai ka deklaruar se ky festival organizohet për të nderuar kontributin e mërgatës dhe se ka shumë interesim nga mërgata por edhe nga qytetarët e Lipjanit.
“Sot është nata e parë e festivalit ku do të mbahet për tre ditë me radhë, tashmë është bërë festival tradicional për nderim të mërgatës. Do të performojnë edhe shumë artistë dhe shumë emra të estradës. Gjithë ky organizim është për nderimin e mërgatës ku nuk do ta harrojmë kontributin asnjëherë. Në dy vitet e kaluara ka qenë shumë interes të madh kurse në këtë vit është jashtë pritshmërisë”, ka thënë Zejnullahu.
Njëri ndër udhëheqësit e një biznesi në këtë festival, Erion Xhemshiti ka theksuar se këtë vit po presin më shumë njerëz e se janë pajisur mirë me staf.
“Kemi ardhur me shërbye disa pije për te rinjtë e Lipjanit sepse është bërë një organizim i madh. Për momentin është shumë mirë, po presim një fluks të madh të qytetarëve dhe jemi përgatitur shumë mirë si staf. Ka interes prej diasporës dhe po presim shumë nga ta. Ka qenë mirë edhe viteve të kaluara, por këtë vit do të jetë diçka më ndryshe”, ka thënë Xhemshiti.
Kurse mërgimtari Agron Rexhepi, u shpreh shumë i kënaqur me këtë organizim.
“Shumë mirë po kalojmë, është një festival shumë i mirë. Na kanë pritur mirë dhe ia vlen me pasë festivale të tilla”, ka thënë Rexhepi.
Festivali “Mërgata & Sports ka filluar të enjten dhe do të zgjasë deri të shtunën.