Komuna e Lipjanit me buxhet vetjak në vlerë prej 180 mijë eurosh ka nisur ndërtimin e shtegut për ecje në tek vendi i quajtur “Pishat” në fshatin Gadime. Nisjen e punimeve të këtij projekti e ka përcjellë për së afërmi, kryetari i Komunës, Imri Ahmeti.
Me këtë rast ai ka thënë se ndërtimi i shtegut të ecjes që do të ketë edhe shtegun e biçikletave e ndriçimin publik për banorët e këtij regjioni është jashtëzakonisht i nevojshëm derisa frekuentohet për ecje e rekracion.
“Ne sot filluam investimin që ta plotësojmë me infrastrukturë të nevojshme dhe ta bëjmë të gatshëm për vizitorët e përditshëm. Ndër bukuritë e rralla natyrore, pishat e ajrin e freskët qytetarët shumë shpejt do të kenë mundësi të shijojnë tek shëtitorja te pishat në Gadime”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, ky projekt po realizohet në një zonë gjelbëruese dhe në mjedis me një pamje të mirë.
“Së shpejti do të jetë në shërbim të shëndetit e rekreacionit të qytetarëve jo vetëm të Gadimes por edhe më gjerë”, ka thënë Ahmeti.