Bazuar në paralajmërimet e hershme dhe situatën aktuale hidrometeorologjike, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, apelon tek qytetarët që t’i ndërmarrin masat e duhura konform ligjit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për mbrojtje personale dhe reciproke, duke u shmangur nga lëvizjet e panevojshme, si dhe në rast të përmbytjeve të mundshme, t’i shfrytëzojnë rrugët alternative.
Për çdo rast, luten qytetarët që të kontaktojnë numrin emergjent 112.
“Gjendja aktuale është e mirë dhe nën kontroll. Komunikacioni zhvillohet normalisht, mirëpo në vende të caktuara kërkohet të bëhet vozitje e kujdesshme, pasi prurjet e ujërave janë të mëdha, si pasojë e reshjeve të pandërprera. Lumi Mirusha, në disa vende ka dalë nga shtrati i tij dhe ka toka bujqësore të përmbytura, sidomos në pjesën perëndimore të rrjedhës së lumit Mirusha”, thuhet në njoftimin për media të Komunës së Malishevës.
Sipas kësaj komunikate, bëhet e ditur se rruga Mirushë-Gurbardh është e pakalueshme, pasi është mbuluar ura mbi liqenin në Mirushë.
Komuna thotë se ekipet komunale të emergjencave janë në gatishmëri të plotë dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës nga reshjet.
Qytetarët, thotë Komuna, do të jenë të informuar në vazhdimësi nga ekipet përgjegjëse komunale.