Komuna e Obiliqit reagon për mosmiratimin e rezolutës për mihjen e Sibovcit

Prishtinë | 04 Maj 2017 | 16:00 | Nga

Kuvendi i Kosovës me 19 vota pro, 34 kundër dhe 8 abstenime nuk ka miratuar rezolutën e propozuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj- Bujupi, për çështjen e shfrytëzimit të thëngjillit dhe minierën e Sibovcit.

E kjo ka bërë që Komuna e Obiliqit të reagojë, duke thënë se miratimi i këtij projektligji, do t’i hapte rrugë implementimi të Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, konkretisht implementimit të pikës, e cila kërkon që renta minerare të rialokohet në Buxhetin Komunal të komunës së Obiliqit ku ndodhet njësia biznesore.

Kjo Komunë edhe një herë ka apeluar te Kuvendi i Kosovës, konkretisht të deputetët e këtij Kuvendi, që sa më parë të ndërmarrin masa, të rishikohen këto rekomandime, dhe të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për Obiliqin.

Reagimi i plotë i Komunës së Onliqit:

Në mbledhjen e mbajtur sot të Kuvendit të Kosovës, me padurim kemi pritur miratimin e Projektligjit nr. 05/L-128 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-163 për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158. Miratimi i këtij projektligji, do t’i hapte rrugë implementimi të Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, konkretisht implementimit të pikës, e cila kërkon që renta minerare të rialokohet në Buxhetin Komunal të komunës së Obiliqit ku ndodhet njësia biznesore. Fatkeqësisht, Komisioni funksional për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, ka rekomanduar që të mos miratohet në parim ky Projektligj.
Arsyeja sipas tyre qëndron që i njëjti është në kundërshtim me legjislacionin përkatës në fuqi. Ja rikujtojmë këtij Komisioni, që banorët e komunës së Obiliqit janë duke jetuar në një mjedis ku janë duke u shkelur të gjitha Ligjet në fuqi, janë duke u shkelur të drejtat kushtetuese, madje edhe parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Nëse për këtë Komision qenka problem që renta minerare të shkoj në buxhetin komunal, që komuna me ato mjete t’u ndihmojë të sëmurëve me sëmundje të kancerit dhe të frymëmarrjes, të kujdeset për hapësirat e gjelbra si preventivë ndaj mjedisit të ndotur, të kujdeset për infrastrukturë rrugore që dëmtohet si pasojë e operimit të KEK-ut, të kujdeset për aktivitete sportive e kulturore, etj, atëherë ky Komision le të na tregoj se të jetuarit në këtë mjedis dhe në këto kushte, me cilat Ligje është në pajtim?? Ne e dimë që Ligjet bëhen për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo e kundërta. Po ashtu e dimë, që deputetët janë të thirrur të mbrojnë interesin e qytetarëve dhe jo të bien pre e politikave ditore. Pra, komuna është e qytetarëve të të gjitha përkatësive politike. Unë si Kryetar edhe pse i përkas subjektit politik të AAK-së, ju shërbej të gjithëve pa dallim, ashtu siç është dashur ta bëjnë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës. Andaj, edhe njëherë apelojmë te Kuvendi i Kosovës, konkretisht të deputetët e këtij Kuvendi, që sa më parë të ndërmarrin masa, të rishikohen këto rekomandime, dhe të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për Obiliqin.

Të ngjashme