Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi së bashku me drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ibush Mjekiqi dhe drejtorin e QKMF-së, Haki Jashari, kanë takuar sot përfaqësuesit e OBSH-së dhe UNDP-së.
Në takim u diskutua për hartimin e një e një strategjie pesë vjeçare, në të cilën do të përfshiheshin komponentat e mjedisit dhe shëndetësisë.
Kryetari i komunës, Xhafer Gashi, gjatë takimit theksoi që statistikat e nxjerra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shkallën e lartë të të prekurve me sëmundje nga mjedisi i kontaminuar, kanë shërbyer në sensibilizimin e opinionit të gjerë, sidomos të Kuvendit të Kosovës, i cili ka ardhur në përfundim që miratimi i Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, do të ofrojë zgjidhje për të gjitha këto probleme, prandaj, bazuar në këto dhe në shumë bashkëpunime të tjera, si komunë jemi të gatshëm të shtrijmë bashkëpunimin edhe në këtë sferë.
Kurse, përfaqësuesi i këtyre dy organizatave, Andrew Russell, shprehi gatishmërinë e tij për të ofruar asistencë teknike në hartimin e kësaj strategjie.
Në fund të takimit, palët u pajtuan që të avancojnë bashkëpunimin në drejtim të hartimit të kësaj strategjie, si dhe të përcaktojnë hapat e mëtejshëm.