Me ligjin e ri për bashkëfinancime në projekte Komuna e Pejës nuk ishte liruar fillimisht nga tatimi në vlerën e shtuar (TVSH) për shumën e saj që ishte e obliguar të participonte në projektin kapital për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
Megjithëse Komuna participon në këtë projekt 22 milionësh me më pak se 20 për qind të shumës së përgjithshme të projektit, ajo është dashur të paguante TVSH, pavarësisht se ligji i ri i liron komunat nga ky lloj i tatimit nëse shuma që participon është më e vogël se 20 për qind e shumës së përgjithshme të projekteve në bashkëfinancim.
“Me ligj të vjetër Komuna ka paguar TVSH në pjesën e saj që ka participuar pavarësisht shumës, më shumë apo më pak se 20 për qind, por me ligjin e ri nëse komuna participon deri në 20 për qind të shumës së projektit, lirohet nga pagesa e TVSH-së.
Ligji i ri ia ka lehtësuar Komunës për të ardhmen, por në këtë rast me këtë projekt të impiantit Komunën e ka kap ligji i vjetër dhe Komuna obligohej të paguante 560 mijë euro TVSH, në rreth 3 milionë euro sa është pjesa që participon Komuna në këtë projekt”, tregon drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, për shumën e TVSH-së që është dashur ta paguante Komuna.
Administrata kishte nisur negociata me Qeverinë që të gjente një zgjidhje, që të lirohen nga pagesa e TVSH-së në këtë projekt. Pas negociatave të zhvilluara me Ministrinë e Financave dhe Administratën Tatimore të Kosovës, Abazaj ia ka konfirmuar KD-së se është arritur pajtimi që Komuna të lirohet nga TVSH-ja për këtë projekt kapital të rëndësishëm për Pejën.