Zyrtarët komunalë të Podujevës nuk kanë arritur të realizojnë as gjysmën e të hyrave të planifikuara për vitin 2019.
Për gjysmën e këtij viti ata kanë arritur të inkasojnë 41 për qind të këtyre të hyrave nga ato që i kanë planifikuar, transmeton Koha Ditore.
Shuma që kanë planifikuar të realizojnë për sivjet është 1.588.175 euro nga të hyrat.
Ndërkohë, për periudhën janar-qershor ata kanë arritur të inkasojnë 655.153 euro, ose 41 për qind nga planifikimi.
Më së shumti mjete kanë realizuar nga taksat komunale, 292.648 euro, e ku përfshihen licencat dhe lejet (200 mijë janë planifikuar, janë realizuar vetëm 21.664 euro), certifikatat dhe dokumentet zyrtare (janë realizuar 42.882 euro, janë planifikuar 150 mijë), taksat e pajisjeve motorike (gjobat në trafik, regjistrimi i automjeteve, agjencia e pyjeve), lejet për ndërtesa (planifikimi i 230 mijë – realizimi 48.201), taksat e tjera komunale (aktivitetet gjeodezike dhe shërbimet e inspektimit).
Megjithatë, shuma e realizuar është larg planifikimit për këto të hyra ku janë paraparë 828.175 euro për 2019.
Pas taksave komunale, tatimi në pronë ka mbledhur më shumë të hyra (212.999 euro) e që është gjysma e planifikimit (52 për qind). Pastaj ngarkesat komunale 105.529 euro nga 250 mijë të planifikuara e ku përfshihen ngarkesat rregullatore, të hyrat nga qiraja (shfrytëzimi i pronës komunale), bashkëpagesat në arsim dhe shëndetësi e ngarkesat tjera komunale. Më së paku mjete janë realizuar nga gjobat e gjykatës 8.870 euro dhe të hyrat e tjera (të ardhurat nga taksat administrative) 35.107 euro.