Komuna e Prishtinës arsyeton çmimet në parkingun nëntokësor: Kostot e mirëmbajtjes janë të larta

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 19:58 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinë, nëpërmes një komunikate për shtyp, iu është përgjigjur ankesave të shumta të qytetarëve për çmimet e publikuara për parkingun nëntokësor.

Komuna arsyetohet se përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut.

“Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime. Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”.

Komuna e Prishtinës thekson se qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe se inkurajojmë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar/a përfaqësues/e të mediave

Kemi marrë një numër të lartë pyetjesh dhe ankesash lidhur me tarifat e Parkingut Nëntokësor tek Fakulteti Filologjik në Prishtinë.

Ju njoftojmë se Parkingu Nëntokësor, është i pari i natyrës së Partneritetit Publiko-Privat (PPP), me teknologji të avancuar dhe standarde të larta urbane.

Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë.

Duam t’Ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira.

Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.

Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime.

Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta.

Gjithsesi, qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.

Të ngjashme