Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, ka bërë të ditur se janë lëshuar një mori gjobash për ata të cilët nuk i respektojnë vendimet që merr komuna, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtori i Inspekcionit, Adonis Tahiri, kanë dhënë shifrat e fundit për masat që kanë marrë muajt e fundit.
Tahiri tha se janë dërguar 271 lëndë dhe janë lëshuar 160 proces verbale. Ai tha se janë dhënë edhe 150 gjoba të ndryshme, si për trafikun, lokalet e masazhit, etj.
“Drejtoria e Inspekcioni po mundohet qe sa më shume te ndërmarrë masa. 271 lëndë dhe janë lëshuar 160 proces verbale. Janë mbi 150 gjoba në fusha të ndryshme. Jemi marr me rregullin në trafik duke ndaluar dhe gjobitur taksitë ilegal dhe duke ndaluar dhe gjobitura autobusët që ngatërrojnë linjat. Janë mbyllur 22 lokale të masazhe”, tha Tahiri.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se do të punojnë edhe për një orar të kafiterive në kryeqytet.
“Ashtu siç kemi filluar me drejtorin e Urbanizmit para 3 dite, po fillojmë me drejtorinë e Inspekcionit. Drejtori sot do të na prezantoj veprimet statistika e muajit të fundit dhe ato që do ti ndërmarrim për muajin e ardhshëm. Jemi gjithashtu para përfundimit për orarin e kafiterive që javën e ardhme do ta bëjmë publikë”, tha Ahmeti.
Tahiri ka treguar edhe për masat e marra ndaj shitësve ambulant dhe dëmtimit të gjelbërimit në kryeqytet.
“7 raste të punimit pa leje, i kemi evdientuar 4 raste të dëmtimit të gjelbërimit. Kemi marrë masa ndaj kompanive qoftë KEDS-i, qoftë posta i kryejnë punët e tyre dhe terrenin e lënë në gjendje shumë të keqe. Jemi të interesuar Ta sigurojmë vend punishten dhe ta kthejmë terrenin. Sektori i ndërtimit është një mungese kemi më së paku inspektorë”, tha Tahiri.
Sa i përket ndërtimeve pa leje, Tahiri tha se janë bërë 123 fletëthirrje ku janë marrë 4 aktvendime për rrëzim të atyre objekteve.
“Gjatë muajit mars janë bërë 123 fletëthirrje, 4 aktvendime për rrëzim. Për sigurim të punishtes janë shqiptuar 27 gjoba mandatore. Sektori i pylltarisë ka pasur angazhim shtesë. Ka qenë një depo që janë konfiskuar nga sektori i deponisë dhe atë e kemi shprazur dhe ato sasi e kemi ndarë në 63 familje”, tha Tahiri, raporton EO.