Komuna e Prishtinës distancohet nga ligjërata mbi Gjykatën Speciale në shkollën “Xhevdet Doda”

Prishtinë | 22 Jan 2026 | 19:33 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka deklaruar se Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrjen për mbajtjen e një ligjërate mbi Gjykatën Speciale në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”.

Sipas njoftimit, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).

“Sipas informatave zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga YIHR, ndërsa miratimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa përfshirjen dhe pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”, thuhet në reagim.

Drejtoria e Arsimit ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është vepruar dhe ka paralajmëruar masa ndaj përgjegjësve.

“Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi”, thuhet më tej.

Në sqarim bëhet e ditur se do të shqyrtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar aktivitetin.

“Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme ‘Xhevdet Doda’”, thekson Komuna.

Të ngjashme