Komuna e Prishtinës ka hapur ekspozitë me pesë projekte të përzgjedhura për sheshin “Adem Jashari” në Kryeqytet. Pesë projektet më të mira do të ekspozohen për një javë në hapësirat e komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Monumenti synon të nderojë përkushtimin, guximin dhe sakrificën e palëkundur të Adem Jasharit dhe familjes së tij gjatë luftës së Kosovës për pavarësi dhe të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës kombëtare.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se ekspozita do të jetë e hapur për një javë, në mënyrë që qytetarët të votojnë më të mirin prej këtyre pesë projekteve. Ai tha se me shumicë votash, do të përzgjidhet projekti për ndërtimin e sheshit “Adem Jashari”.
“Kemi një numër të madh të projekteve dhe si rezultat i saj, ne kemi përzgjedh pesë projektet më të mira që prezantohen sot në Komunë. Prandaj ju ftoj që në ditët më radhë ta shihni dhe ta votoni ju të dashur qytetarë se cili prej këtyre pesë projekteve ju duket më i miri. Ne kemi qenë po ashtu si pjesë e procesit kemi qenë në kontakt me familjen Jashari. Ashtu siç kam premtuar heroi ynë Adem Jashari tash do ta ketë edhe vendin e vet edhe në Kryeqytet”, tha Rama.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama derisa ka treguar më shumë për projektin, ka ftuar qytetarët që të vijnë dhe të shohin nga afër këto projekte, e po ashtu edhe të votojnë se cili ju duket më i miri.
Ndërsa vërejtje pati nga asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Granit Geci.
Derisa ka pyetur për qëndrimin e familjes Jashari për këto projekte, ai ka thënë se sot e udhës do të kishte qenë që të ketë festë publike, e po ashtu edhe më shumë qytetarë që vizitojnë projektet.
Për këtë, Rama tha se procesi ka qenë shumë transparent.
“I ftova të gjithë qytetarët e Kosovës që të na vizitojnë këtu dhe të jenë pjesë e këtij procesi dhe i kemi kërkuar që të na tregojnë me votat e tyre se cili prej këtyre ju pëlqen më shumë dhe cili është më përkatës që e reprezanton madhështinë e heroit tonë kombëtar dhe familjes Jashari. Procesi ka qenë super transparent sepse është bërë thirrje e hapur të gjithë pjesëtarëve këtu në vend dhe rajon dhe ka qenë proces i hapur ndërkombëtarë, dhe kemi një numër të madhe të aplikacioneve, dhe bashkë reprezentuesin e familjes Jashari i kemi përzgjedhë top pesë të cilat janë të përzgjedhur, dhe ne në të ardhmen do ti bëjmë publik të gjitha aplikacionet sepse ka pasur shumë por është puna e jurisë me i përzgjedh top pesë më të mirët”.
“Heroizmi i familjes Jashari sado që mundohesh nuk ka asgjë që mundet me u krijua atë që e ka dhënë flijimi i familjes Jashari, dhe është vështirë me reprezantu si në aspektin artistik apo urban dhe arkitektonik është shumë vështirë dhe prandaj këto procese janë më se të nevojshme që të bëjmë komunitetin këtu në kryeqytet dhe gjithë Kosovën pjesë të procesit të vendimmarrjes se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm dhe kjo është ideja që t’u a dhënë mundësinë e madhështisë të heroit tonë kombëtarë për mos me bo gabime dhe me lartësu heroin tonë kombëtarë dhe Familjen Jashari dhe të gjithë shokët dhe luftëtarët tanë që kanë marrë pjesë në luftë”, tha Rama.