Komuna ka siguruar program të veçantë të banimit për familjet që kanë mbetur pa strehim si pasojë e vendimeve të Komunës, e të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Të drejtën për të qenë përfitues të këtij programi e kanë familjet që:
1. kanë mbetur pa strehim si pasojë e vendimeve të Komunës,
2. janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe banorë të përhershëm të komunës së Prishtinës,
3. nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale.
Komuna për këtë program të veçantë të banimit i ka në dispozicion 5 (pesë) banesa, që do t’i ndajë për familjet që kanë mbetur pa strehim si pasojë e vendimeve të marra nga Komuna e Prishtinës transmeton lajmi.net.
Organi kompetent komunal bën shpërndarjen e kërkesave në formë standarde, pa pagesë, për të gjithë kërkuesit e interesuar. Ato mund t’i marrin në zyrën /sportelin nr. 3, kati përdhes në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës, rruga UÇK, nr. 2, çdo ditë pune nga ora 08:30 – 15:00.
Konkursi mbetet i hapur 30 (tridhjetë) ditë nga shpallja publike në njërën nga gazetat e përditshme, si dhe në ueb-faqen e Komunës, duke filluar prej datës 5.7.2017 deri më 3.8.2017.
Komisioni për vlerësimin dhe përzgjedhjen e familjeve bën shqyrtimin e kërkesave brenda 30 (tridhjetë) ditëve, duke u bazuar në vendimet e marra nga Komuna, si pasojë e të cilave familjet kanë mbetur pa strehim. Kohëzgjatja e përfitimit të kësaj kategorie në programin e veçantë për banim është 3 (tri) vjet.
Pas shpalljes së listës së familjeve përfituese nga ky programi banimi, familjet e pakënaqura mund të parashtrojë ankesë me shkrim në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kundër Vendimit të Komisionit, brenda 30 (tridhjetë) ditëve prej ditës së pranimit të Vendimit.