Komuna e Prishtinës jep urdhër për largimin e orës me flamurin turk

Prishtinë | 18 Gus 2016 | 16:54 | Nga

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi ka thënë se Drejtoria e Arsimit i ka dhënë urdhër shkollës që të hiqen orët nga klasët dhe gjithçka të kthehet në normalitet. Ai ka siguruar se komuna e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk do të lejonte heqjen e fotove të Skënderbeut

Dramaturgu Gani Mehmetaj ka publikuar sot një lajm se në shkollën “Elena Gjika” në Prishtinë një firmë nga Turqia që kishte marr përsipër lyerjen e shkollës, ka hequr portretet e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe në çdo klasë ka vendosur nga një orë muri me flamurin e Turqisë.

Mehmeti ka bërë të ditur këtë lajm duke u mbështetur në deklaratat që sipas tij ka marr nga arsimtarët e kësaj shkolle, të cilët të zemëruar kanë kërcënuar se do të protestojnë kundër përdhosjes së shkollës dhe përpjekjes për shkombëtarizim.

Lidhur me këtë çështje KultPlus ka kërkuar sqarim nga komuna e Prishtinës e cila e ka mohuar këtë lajm.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi ka thënë se kompania e cila është angazhuar për rregullimin e shkollës nuk e ka hequr foton e heroit kombëtar, por vetëm ka vendosur orët me emër të tyre dhe me flamurin turk.

Vraniqi ka thënë se Drejtoria e Arsimit i ka dhënë urdhër shkollës që të hiqen orët nga klasët dhe gjithçka të kthehet në normalitet. Ai ka siguruar se komuna e Prishtinës në asnjë mënyrë nuk do të lejonte heqjen e fotove të Skënderbeut dhe se në rastet e tilla të mundshme do të kërkonte përgjegjësi. Kompania është kontraktuar për kryerjen e punimeve nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Në shkollën Elena Gjika përveç nxënësve shqiptarë, vijojnë mësimet edhe nxënësit turq. Në këtë institucion arsimor janë katër klasë me nxënës të këtij komuniteti.

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/shoqeri/firma-turke-e-heq-gjergj-kastriotin-nga-shkolla-e-prishtines-e-vendos-flamurin-turk/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme