Drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Mehmeti, bashkë me zyrtarë të tjerë nga Komuna e Prishtinës, takoi sot delegacionin e KfW-së të udhëhequr nga z. Kirk Mildner, drejtor i divizionit për infrastrukturë komunale dhe transport për Evropën juglindore, dhe z. Rene Escheman, drejtor i zyrës për Kosovë dhe Maqedoni, me të cilët diskutoi për investimet e ardhshme në rrjetin e kanalizimit dhe në kolektorë.
Dihet që Prishtina ka probleme me kanalizim, sidomos për shkak të rrjetit të vjetër, rrjet ky që është paraparë asokohe për shumë më pak banorë, e që nuk e përballon dot mbipopullimin që ka ndodhur pas luftës. Në këtë drejtim, si Komunë e Prishtinë, kemi orientuar investimet tona në ndërrimin e rrjetit të kanalizimit brenda qytetit. Aktualisht është duke u punuar në rrugët “Fehmi Agani”, “Çajupi”, “Hajdar Dushi”, “Meto Bajraktari”, dhe muajin tjetër do të vazhdohet në rrugët “Andre Gropa” dhe “Bedri Pejani”.
Bashkëpunimi me KfW-në do të thellohet edhe më tutje, si domosdoshmëri e intervenimeve të përbashkëta në infrastrukturën nëntokësore, ashtu që të evitohen problemet me kanalizim dhe ujësjellës brenda qytetit të Prishtinës.