Komuna e Prishtinës ka mbajtur punëtorinë në të cilën temë ka qenë kujdesi ndaj kafshëve dhe mënyrat e trajtimit të qenve endacakë. Qëllimi final i organizatorëve është që pas përfundimit të hartohet një strategji e cila do t’i japë zgjidhje problemit të qenve endacakë, raporton Ekonomia Online.
Adrian Berisha, asambleist i Vetëvendosjes në Komunën e Prishtinës, tha se ky organizim është i realizuar së bashku me disa organizata të huaja të cilat merren me mbrojtjen e kafshëve. Pjesë e kësaj puntorie janë edhe dy ekspertë ndërkombëtar me të të cilët do të diskutohet për problematiken e qenve endacakë.
“Kjo është realizuar me organizatën ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve. Kjo punëtori ka për qëllim diskutimin dhe krijimin e një strategjie për zgjidjen e problemit për qentë endacakë për komunën tonë. Sot kemi 2 ekspertë ndërkombëtar për mbrojtjen e kafshëve, me të cilët do të diskutojmë për zgjidhjen e kësaj problematike”, tha Berisha.
Ndërsa Zana Aqifi nga organizata “Four Paws”, tha se problemi i qenve endacakë duhet të trajtohet në mënyrë urgjente pasi që është problematikë tash e sa vite e pazgjidhshme nga asnjë institucion.
“Problemi i qenve endacakë është shumë i përfolur dhe tejet serioz në shoqërinë tonë. Jemi mbledhë që të hartojmë një strategji për zgjidhjen e këtij problemi. Kjo punëtori është iniciuar nga komuna e Prishtinës. Ekspertët e huaj kanë ardhur që përvojën e tyre ta ndajnë me neve, pasi që problemet e këtilla i kanë zgjidhë në vendet ku kane qenë të angazhuar”, tha Aqifi.
Sipas saj duhet të punohet shumë në këtë drejtim pasi që nuk është punë një ditore dhe se nga kjo punëtori e ditës së sotme do të hartohet strategjia e cila do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.