Komuna e Prishtinës shpall konkurs për 25 psikologë në shkolla – Musmurati: Siguria e nxënësve është prioritet

Prishtinë | 10 Tet 2022 | 13:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Prishtinës ka shpallur konkurs për pranimin e 25 psikologëve në shkolla, raporton Ekonomia Online. Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati në një konferencë për medie.

Sipas saj, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, kanë vendosur që të bëjnë publik këtë njoftim.

Ajo më tej ka thënë se që nga marrja e mandatit siguria e nxënësve si në aspektin fizik, por edhe mendor është prioritet për të.

Sipas saj, angazhimi i psikologëve është lajmë shumë i mirë duke marrë parasysh se për 40 mijë nxënës në Prishtinë kanë qenë të angazhuar vetëm 12 psikologë.

“Sot e shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendorë dhe drejtoria e arsimit ne Komunën e Prishtinës ka shpallur konkursin për punësimin e 25 psikologëve shkollorë të cilët do të punojnë në shkollat e Prishtinës. Ky është një lajm i mirë për të cilin jemi gëzuar”.

“Mbylljet e gjata gjatë pandemisë si dhe pasiguria e cila ka qenë në familjet tona ka ndikuar që ne të kemi një rritje të dhunës qoftë në familje qoftë në shkolla. Raportet tregojnë se bullizmi është në rritje prandaj institucionet arsimore duhet të intervenojnë”.

“Deri më sot Prishtina ka pasur të punësuar 12 psikologëve të shkollave, përderisa i ka mbi 40 mijë nxënës. Që do të thotë numër shumë i vogël i psikologëve dhe ka qenë e pamundur qe të trajtohen të gjithë nxënësit”, tha Musmurati.

Kaltrina Kelmendi, shefe e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, u shpreh se punësimi i këtyre psikologëve në shkolla do të shndërrojë shkollën në një ambient më të favorshëm për të qëndruar në shkolla.

“Jemi shumë të gëzuar sepse 25 psikolog do të punësohen në shkollat e Prishtinës, ideja e rekrutimit të psikologëve në besojmë që do t’i shërbej mirëqenies së përgjithshme jo vetëm të fëmijëve. por gjithë shkollës dhe do ta bëjë shkollën një ambient të favorshëm e të pëlqyeshëm për qëndrimin në shkollë”, tha Kelmendi.

Ditjon Fetahu nga Këshilli Rinor i Kosovës, tha se sipas statistikave që posedojnë 50 për qind e nxënësve nuk kanë qasje në psikologë shkollorë, duke shtuar se mungesa e tyre ka bërë që në shkolla të ketë ngacmime seksuale e ofendime.

“Jemi shumë të lumtur që e kemi pranuar këtë lajm. Që nga fillimi i vitit nxënësit kanë brohoritur në rrugë duke kërkuar psikologë, e që nga muaji prill kem pranuar statistika problematike të cilat tregojnë se 52 për qind e nxënësve nuk kanë qasje në psikologë shkollorë, e në kuadër të kësaj përcillen me probleme në qoftë me ngacmime seksuale, e me ofendime përbrenda qoftë stafit shkollorë apo nxënësve në shkolla, e gjitha kjo burim e ka mungesën e psikologëve në shkolla. Prandaj jemi të lumtur për punësimin e këtyre psikologëve”, tha Fetahu.

Të ngjashme