Komuna e Prizrenit dhe UNDP fillojnë një Projekt për Promovimin e Turizmit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimin Ekonomik

Prishtinë | 14 Shk 2024 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Në përpjekje të përbashkët për promovimin e turizmit dhe zhvillimit të sektorit privat, Komuna e Prizrenit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë nënshkruan marrëveshje për të zbatuar një projekt që do të shërbejë për promovimin e turizmit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik në qytet.

Kjo marrëveshje, e cila shënon fillimin zyrtar të projektit, është nënshkruar nga Z. Nuno Queirós, Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së dhe Z. Shaqir Totaj, Kryetar i Komunës së Prizrenit.

Me këtë rast, z. Queirós theksoi: “Qëllimi ynë nuk është thjesht të rrisim numrin e vizitorëve por, i një rëndësie vendimtare është të sigurojmë që rritja e turizmit reflektohet në përfitime të qarta për ekonominë vendase dhe sektorin privat. Duke rigjallëruar modelet tradicionale të biznesit, ne synojmë të ndërtojmë një themel ekonomik të qëndrueshëm që mund të përshtatet dhe të lulëzojë. Ky partneritet i fundit plotëson bashkëpunimin që daton më shumë se 10 vjet në mes të UNDP-së dhe Komunës së Prizrenit dhe është një testament për atë që ne mund të arrijmë së bashku. Unë besoj fuqimisht se së bashku do të nxisim potencialin e plotë të Prizrenit si destinacion kryesor për turizëm të qëndrueshëm dhe zhvillim ekonomik”.

Z. Totaj vuri në pah rëndësinë e projektit: “Zhvillimi i turizmit në Prizren është një mundësi e mirë për ta stimuluar ngritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, duke rritur nivelin e cilësisë së jetesës së banorëve. Investimi në infrastrukturën turistike dhe promovimi i trashëgimisë së pasur kulturore të Prizrenit, domosdo tërheq vizitorë dhe forcon ekonominë lokale. Prioriteti i zhvillimit të turizmit përputhet me aspiratat tona për t’u bërë një destinacion i njohur, duke kontribuar në zhvillimin rajonal dhe njohjen ndërkombëtare të Prizrenit”.

Rreth Projektit

Projekti Promovimi i Turizmit dhe Zhvillimi i Sektorit Privat është një iniciativë në kohëzgjatje prej një vit e gjysmë e financuar bashkërisht nga Komuna e Prizrenit dhe UNDP. Rezultatet e projektit do të jenë të dyfishta: hartimi dhe zbatimi i një fushate promovuese të turizmit ku do të paraqiten vlerat e pasura kulturore, historike, natyrore dhe praktike të Prizrenit për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat përmes rivitalizimit të modeleve tradicionale të biznesit, dhe përforcimin e identitetit tregtar që do të lehtësohet nëpërmjet metodologjisë së UNDP-së “In Motion”.

Të ngjashme