Komuna e Shtimes ka përgatitur Draft-Planin e Veprimit për Transparencë për vitin 2019-2023, i cili tashmë ka kaluar në diskutim publik për të marrë sugjerime dhe plotësime të ndryshme.
Të mërkurën OJQ “YAHR” ka organizuar një tryezë në të cilën janë dhënë edhe një varg rekomandimesh me qëllim të rritjes dhe fuqizimit të transparencës komunale, shkruan sot Koha Ditore.
Bekim Krasniqi, drejtor në OJQ “YAHR”, ka thënë se Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Shtimes duhet të paraqesë organizimin institucional të takimeve të kryetarit të Komunës me qytetarë, publikimin e dokumenteve dhe vendimeve të kryetarit të Komunës në uebfaqen zyrtare, pastaj duhet të mbahen konferenca të rregullta me media për të raportuar rreth sfidave dhe të arriturave të komunës.
“Ky dokument duhet të plotësohet edhe me takime ndërmjet qytetarëve dhe kryetarit të komunës, pastaj dokumenti duhet të plotësohet edhe me debate ndërmjet qytetarëve dhe kuvendarëve me qëllim që të dëgjohej zëri i qytetarëve dhe pastaj kërkesat dhe ankesat e tyre të inkorporohen në planet strategjike të komunës”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, bazë ligjore e këtij plani është udhëzimi administrativ nr. 04/2018 për transparencë të komunave 2019-2023.