Komuna e Shtimes shpall gjendje emergjente pas reshjeve

Prishtinë | 19 Nën 2025 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Shtimes ka shpallur gjendje emergjente si pasojë e gjendjes së rënduar që u krijua pas reshjeve të pandërprera të shiut.

Kryetari i komunës, Qemajl Aliu, të martën vonë pasi ka vlerësuar gjendjen nga afër ka marrë vendim qe në gjithë Shtimen të shpallet gjendje emergjente.

“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha kryetari Aliu.

Gjatë të mërkurës pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Në njoftimin e komunës, mes tjerash, bëhet e ditur se në disa fshatra gjendja paraqitet më e rënduar, por ekipet dhe shërbimet komunale me makineri të specializuar janë duke ndërhyrë me kujdes për trajtimin e dëmeve të shkaktuara dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Tutje, Komuna e Shtimes u bën thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin njoftimet zyrtare deri në normalizimin e plotë të situatës.

Të ngjashme