Komuna e Suharekës fton qytetarët e prekur nga vërshimet të dorëzojnë kërkesat për kompensim

Prishtinë | 14 Jan 2026 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Suharekës ka bërë të ditur se vazhdon të pranojë kërkesa nga qytetarët, të cilët kanë pësuar dëme nga vërshimet e fundit. Kryetari i komunës, Bali Muharremaj, njofton se procesi është i hapur për të gjithë të prekurit.

“Të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që brenda afatit të përcaktuar të dorëzojnë kërkesën e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmëve”, ka thënë Muharremaj.

Ai ka bërë me dije edhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim: kërkesa e plotësuar, kopje e letërnjoftimit, konfirmim bankar në emër të aplikuesit, fotografi të dëmeve dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë nëse ka.

Afati për dorëzimin e kërkesave është 22 janar 2026, dhe ato mund të dorëzohen personalisht në Zyrën Nr.1, Drejtorinë e Bujqësisë, ose tek Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në Komunën e Suharekës.

“Qëllimi ynë është që çdo qytetar i prekur të marrë mbështetjen e duhur dhe të rifillojë normalitetin pas dëmeve të shkaktuara nga vërshimet”, ka shtuar kryetari Muharremaj.

Të ngjashme