Komuna e Vushtrrisë organizon manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”

Vushtrri | 20 Kor 2022 | 14:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në nderim të bashkatdhetarëve që po qëndrojnë në vendlindje për pushime, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi, organizon manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”, raporton Ekonomia Online.

Për katër ditë më radhë, ky manifestim do ta gjallërojë Vushtrrinë, duke bashkuar mërgimtarët e këtij qyteti.

Kreu i kësaj komune, Ferit Idrizi, në mesazhin e tij drejtuar mërgimtarëve, ka ftuar që të jenë masovikisht pjesë e këtyre netëve.

“Si zakonisht edhe këtë vit kemi organizuar manifestimin tradicional “Ditët e Diasporës”, që do të fillojmë më datë 21 dhe do të përfundojë më datë 24 korrik”, ka thënë Idrizi.

Kryetari Idrizi dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Medina Bunjaku, kanë shpalosur për Ekonomia Online programin katërditor.

Në ditën e parë do të hapet ekspozita “Into the Ocean” nga autorja Fjolla Ferati, në ora 19:00 në Shtëpinë e Kulturës, për të vazhduar me koncertin me moton “Ti je pjesë e Atdheut”.

Pjesë e koncertit që nis nga ora 20:30 në sheshin “Adem Jashari”, do të jetë dhe këngëtari i mirënjohur Ramadan Krasniqi – Dani.

Në ditën e dytë do të organizohet promovimi i librit “Unë, biri i Oshlanit Heroik”, i autorit Islam Islami (nga ora 19:00 në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”). Ndërsa nga ora 20:30, në Kalanë e Qytetit, mbahet Ballo me Maska (me motive nga vitet 1920).

Në ditën e tretë – 23 korrik do të organizohet tryezë me mërgimtarë, me qëllim promovimin e turizmit malor, urban dhe agroturizmit (në Qendrën e Kulturës, në ora 12:00). Ndërsa nga ora 20:30, në sheshin “Norwalk” (afër Qendrës së Kulturës”, të rinjtë do të kenë rastin të luajnë street-ball.

Ndërsa në natën e katër më 24 korrik, do të shtrohet sofra për mërgimtarë, me muzikë burimore shqipe. Ky aktivitet mbahet në Kalanë e Qytetit nga ora 20:30.

Të ngjashme