Sipas auditorit Komuna e Zubin- Potokut nuk e ka bërë regjistrimin e pasurive të saj në vlerën mbi një mirë euro. Komuna e Zubin- Potokut nuk e di se sa ka pasuri, pasi ende nuk e ka bërë identifikimin dhe regjistrimin e saj.
“Komuna, edhe pse këtë vit ka caktuar një zyrtar për identifikimin dhe regjistrimin e pasurive, ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me menaxhimin e pasurive mbi 1000€ e as të e-pasurisë. Komuna nuk ka formuar komisionet përkatëse për vlerësimin dhe inventarizimin e pasurisë”, thuhet në raportin e auditorit.
Raporti i auditorit tregon se komuna nuk ka kryer auditime të brendshme.
“Komuna ende nuk ka arritur që të sigurojë shërbimet e auditimit të brendshëm dhe këto shërbime nuk janë kryer as nga komuna dhe nuk janë mbuluar as nga ndonjë organizatë tjetër. Kjo, për shkak se menaxhmenti i komunës nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur auditimit të brendshëm dhe përmirësimit të aktiviteteve të komunës”, thuhet në raport.
Sipas auditorit Komunae Zubin-Potokut ka performancë të dobët të të hyrave.
“Realizimi i buxhetit nuk ishte në nivelin e pritur. Derisa një pjesë e suficitit ishte jashtë kontrollit të komunës, një pjesë e madhe e shpenzimeve janë bërë në tremujorin e fundit të vitit (874,982€). Kjo ka ndodhur për shkak të një planifikimi të dobët dhe të pabazuar në objektiva të qarta. Performancë e dobët buxhetore vërehet kryesisht te investimet kapitale. Planifikimi i të hyrave mund të jetë mbivlerësuar, përderisa arkëtimi dhe shfrytëzimi i tyre është shumë i ulët,” thotë auditori.
Komuna gjithashtu nuk ka rregullore për taksa dhe nuk ka zbatuar Ligjin për Tatimin në Pronë.
“Komuna ende nuk ka një rregullore të brendshme të aprovuar nga Kuvendi komunal për taksa, tarifa dhe ngarkesa për shërbimet që u ofron qytetarëve të saj. Komuna nuk është duke zbatuar Ligjin për Tatimin në Pronë dhe Ligjin për Ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave. Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, nga shfrytëzimi i pronave publike nga qytetarët, apo në baza tjera”, thuhet në raport.
Auditori ka gjetur gjithashtu që të hyrat nga taksat nuk deponohen vazhdimisht në llogari bankare.
“Shumat e arkëtuara të taksave administrative nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manuale”, tregohet në raport.
Auditori evidentoi në Zubin- Potok edhe dobësi menaxheriale.
“Menaxhmenti ende nuk ka vendosur një strukturë organizative, sistematizim të vendeve të punës dhe harmonizimin e saj me nevojat dhe buxhetin e komunës. Kjo ka ndikuar që disa vende pune kyçe të mos plotësohen me staf dhe për shkak të mungesës së menaxherit të personelit, gjatë vitit 2016 dosjet e personelit janë të pakompletuara”, thuhet në raportin e auditorit.
Në raportin e auditorit thuhet se komuna nuk ka përdorur kritere për dhënie të subvencioneceve dhe përfituesit e subvencioneve nuk raportojnë në komunë.
“Komuna ka nxjerrë një rregullore për dhënien e subvencioneve, megjithatë, nuk është vërejtur ndonjë kriter për mënyrën e dhënies dhe shfrytëzimit të tyre. Më tej, përfituesit e subvencioneve nuk dërgojnë tek komuna raporte kthyese për të konfirmuar se subvencioni i dhënë është shpenzuar për qëllimin për të cilin është dedikuar”, sqaron auditori.
Sipas auditorit, komuna nuk ka përgatitur dhe aprovuar një plan të prokurimit për vitin 2016 ashtu siç kërkohet me Ligjin nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Kosovë.
Komuna nuk i ka raportuar Ministrisë së Financave për obligimet financiare të saj.
“Gjatë vitit 2016 komuna nuk kishte raportuar në baza mujore obligimet financiare në MF, siç kërkohet me Rregullën Financiare nr. 02/2013 për Raportimin e Obligimeve të Papaguara të Organizatave Buxhetore. Komuna, nuk mban libër të protokollit për pranimin e faturave”, tregon raporti.
Auditori ka gjetur se Komuna e Leposaviqit katër fatura që duhej t’i paguante vjet, i ka paguar sivjet.
Komuna në fund të vitit nuk ka shpalosur asnjë faturë të papaguar, megjithatë gjatë rishikimit të pagesave të kryera në katër muajt e parë të vitit 2017 kemi gjetur se nuk janë shpalosur katër fatura që i përkasin vitit paraprak dhe janë paguar në vitin vijues. Vlera e këtyre faturave ishte gjithsej 1,195€. Kjo, për shkak se bartësit e drejtorive nuk kanë kuptuar nevojën për konsolidim të plotë dhe raportimin e saktë në baza mujore të faturave të papaguara në MF”, bën të ditur auditori
Kreu i Komunës së Zubin Potokut Stevan Vuloviç në letrën konfirmuese adresuar auditorit thotë se pajtohet me të gjeturat e raportit.