Orën 12 e 2 minuta pasmesnate, i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, e kishte shfrytëzuar për të treguar nisjen e furnizimit të pandërprerë me ujë.
Në minutat e parë të 28 marsit, në rrjetin social “Facebook”, kishte shpërndarë një video, për ta vërtetuar atë që deri para asaj dite, për shumëkënd në kryeqytet ishte e rrallë – uji në çezmat e tyre pas mesnatës, raporton “038” i KTV-së.
Kohë pas kohe, ai shfrytëzoi këtë rrjet për t’i pyetur qytetarët nëse kanë ujë.
Lavdet për “ujë 24 orë” nuk i kurseu as në fushatë e debate televizive.
Megjithëkëtë, Komuna e Prishtinës ende nuk i ka paguar mbi dy milionë e katërqind mijë euro, për fabrikën e përpunimit të ujit në Shkabaj, me të cilën u stabilizua furnizimi me ujë.
Komuna ishte zotuar se do të paguajë pesë milionë euro për këtë projekt, që në total ka kushtuar 35 milionë euro.
Sipas Zogiani-Hisenit, mos ekzekutimi i pagesës nga komuna po ua vështirëson kthimin e kredisë.
Ajo shton se nuk mund të bëjnë më shumë sesa të përsërisin kërkesën e tyre.
Por në komunë thonë se problemi i mospagesës nuk qëndron te ta, por te moskompletimi i dokumentacionit nga ujësjellësi.
Sipas Tahirit, pagesa do të bëhet porsa të kompletohet dokumentacioni.
Derisa ujësjellësi të përmbushë kërkesën e Zyrës së Auditorit, sipas Tahirit, paratë do të qëndrojnë në kuletën e Komunës së Prishtinës.